Bujar KURTAJ
Shkup, 21 prill – Finalja e Kupës së Maqedonisë në futboll do të diskutohet mes Shkëndijës dhe Pelisterit. Trofeu i dytë për nga rëndësia në futbollin vendor zbuloi ekipet që mbërrijnë në përballjen e fundit të këtij kompeticioni pas gjysmëfinaleve që nuk rezervuan surpriza si në stadiumin e qytetit në Tetovë, ashtu edhe në Manastir. Shkëndija edhe përkundër disfatës 1:0, u plasua në finale, pasi në përballjen e parë në Shkup, kishte mundur Vardarin me 3:1. Derisa, Pelisteri me 1:0 mundi Bregallnicën dhe me rezultatin e përgjithshëm 3:2 do të luajë në finalen, e cila do të zhvillohet më 17 maj. Kur jemi te skuadra tetovare vlen të përmendet se ata për së dyti herë eliminojnë Vardarin në garën për Kupë dhe plasohen në finale, ku siç e dimë më pas e fituan pasi e mundën Rabotniçkin me 2:0. Duke marr parasysh se gara për titull pothuajse është e humbur, djemtë e trajnerit Tomas Brdariç gjitha shikimet i kanë rikthyer nga trofeu i Kupës ku në një farë mënyre do të kishin shpëtuar sezonin, duke marr parasysh investimet që kompania “Ecolog” është duke i bërë gjatë këtyre katër viteve. Andaj, duke filluar nga futbollistët por edhe trajneri i Brdariç dëshirojnë që të fitojnë këtë trofe, i cili do të ishte i dyti në historinë e klubit.
“Unë jam vërtet shumë, shumë krenar për ekipin tim dhe skuadrën e Shkëndijës. Ishte vërtet një luftë e vështirë në dy ndeshjet dhe unë mendoj se ne jemi vërtet fituesi real në dy ndeshjet dhe sërish ne mund të jemi krenar që kemi arritur finalen. Shpresoj të vazhdojmë në këtë drejtim. Tifozët çdo herë janë njeriu i 12-të në shpinën tonë. Ne kemi nevojë nëse ata janë vërtet të kujdesshëm në atmosferën në stadium të jetë gjithçka mirë. Por sot ishte vështirë deri në fund dhe ne duhet të flasim për këtë. Por unë jam shumë i gëzuar që ne kemi këtë mbështetje në tifozët”, tha për KOHA, Brdariç.
Derisa, njëri prej futbollistëve brazilian Stenio Zhunior falënderon tifozët për mbështetjen, ndërsa pranon se ekipi nuk ka qenë në nivelin e duhur. “Ndeshja kishte nga pak prej të gjithave, gjëra të mira dhe të këqija. Por, ne kërkuam, ‘luftuam’ deri në fund të ndeshjes dhe arritëm të kualifikohemi edhe një herë në finale të Kupës. Duhet të jem i sinqertë, nuk luajtëm në nivelin e dëshiruar dhe në momente të caktuara patëm edhe fat. Por, gjithashtu kishim shanse të shënojmë, por nuk ia dolëm. Ne e kishim parasysh epërsinë që kishim dhe e mbyllëm ndeshjen me rezultatin në favorin tonë. Falënderim i madh për tifozët tanë, ‘Ballistët’ që gjithmonë bëjnë atmosferë të bukur dhe impresionuese për gjithë stadiumin., tha Zhunior. Sa i përket finales, braziliani vlerëson Pelisterin dhe thotë se nuk do të jetë lehtë. “Për ndeshjen finale e dimë se asgjë nuk do te jetë e lehtë, skuadra e Pelisterit ka cilësi dhe gjithashtu do të pretendojë ta fitojë ndeshjen. Prandaj ne do të duhet të jemi maksimalisht të koncentruar, inteligjentë dhe me angazhim maksimal te dalim edhe një herë kampionë te kësaj gare. Ditën e ndeshjes gjithë ne futbollistët duhet të jemi të inspiruar në maksimum, por njëkohësisht të qetë për të mundur të shfaqim gjithë potencialin tonë”, deklaroi Zhunior.