Drejtuesit e Shkëndijës sipas gjitha gjasave nuk do t’ia besojnë edhe kësaj here postin e trajnerit të parë Jeton Beqirit. Sipas asaj që arritëm të kuptojmë, drejtuesit e skuadrës tetovare këtë post do t’ia besojnë trajnerit kroat Tomas Brdariç, me të cilin gjithçka thuhet se është kryer dhe pritet vetëm zyrtarizmi i tij. Ajo që mbetet për tu parë, është se cila do të jetë pozita e Jeton Beqirit, do të jetë ndihmës i trajnerit kroat, apo do të largohet ose eventualisht do ti besohet ndonjë post tjetër në klub. Cekim, Beqiri në dy raste ka drejtuar ekipin e parë dhe në dy raste ka qenë ndihmës trajner. Nëse zyrtarizohet gjermano-kroati, atëherë grumbullimin e parë në janar dhe përgatitjet për sezonin pranveror, do të jetë nën drejtimin e tij. Nga klubi kuqezi nuk i komentojnë këto zëra. Ata thonë se vetëm atëherë kur do të ketë diçka zyrtare do të dalin me kumtesë. Ndryshe, trajneri gjerman me prejardhje kroate Tomas Brdariç është ish-reprezentues i Gjermanisë, për të cilën ka pasur tetë paraqitje ku ka shënuar vetëm një gol, ndërsa ka një karrierë të pasur si futbollist duke luajtur për klubet njohura nga Bundesliga si Shtutgart, Bajer Leverkusen, Hanover, Volfsburg, Fortuna Dyseldorf, Fortuna Koln. Derisa, në vitin 2009 emërohet fillimisht si drejtor sportiv kurse më pas si menaxher i skuadrës FC Union Solingen. Në vitin 2009 u shkarkua nga kjo skuadër dhe u emërua si menaxher i skuadrës së TSG Neustrlitz (2013) duke udhëhequr ekipin drejt titullit në Regionalliga Nordost. Më pas ai mori postin e menaxherit te skuadra e VFL Volfsburg II. Klubi i tij i fundit të cilin e ka udhëhequr Brdrariç është skuadra e TSV Steinbach. Cekim, në të kaluarën skuadrën e Shkëndijës e ka udhëhequr edhe një trajner kroat, Roj Ferençina. (koha.mk)