Dita e nëntë e Botërorit dhe sot të gjithë sytë janë nga fituesi i pesë herë i Kupës së Botës Brazilit, të cilët do të luajnë ndeshjen e dytë në grupin E. Të besuarit e Tite do të përballen ndaj Kosta Rikës që konsiderohet skuadra më e dobët e grupit, në një ndeshje ku objektivi është vetëm fitorja.
Brazil-Costa Rika
Pas barazimit ndaj Zvicrës në ndeshjen debutuese, Neymar bashkë me shokë duhet të kthejnë faqe, pasi në të kundërt vënë në vështirësi fatet e kualifikimit për në fazën tjetër. Ylli i PSG-së është rikuperuar plotësisht dhe do të jetë gati për ndeshjen e sotme që nga fillimi i lojës, ndërkohë ndryshimi i vetëm në formacionin e Brazilit pritet të jetë në krahun e djathtë aty ku Fanger do të marrë vendin e Danilos. Kujtojmë që dy miqësoret e fundit mes tyre janë fituar nga Seleçao, por mund të thuhet se Kosta Rika i sjellë fat Brazilit, sepse të dyja skuadrat bënin pjesë edhe në të njëjtin grup dhe në Botërorin e vitit 2002. Ndryshe nga 4 vite më parë kur shkoi deri në çerekfinale Kosta Rika ka humbur shumë në cilësi pasi disa prej futbollistëve janë 4 vjet më mëdhenj dhe nuk kanë më të njëjtën freski. Ylli i skuadrës është portieri i Real Madrid Keylor Navas. Kujtojmë që ndeshja do të luhet në stadiumin e Zenitit në Shën Petersburg dhe do të nisë në orën 14:00.
Nigeri- Islandë
Nigeria pret Islandën në një ndeshje ku do të jetë sy e veshë edhe Argjentina e Lionel Messit, sepse nga kjo sfidë varen edhe fatet e përfaqësueses albiçeleste në këtë Kupë Bote. Kjo është ndeshja e dytë e grupit C dhe do të luhet në stadiumin |Vogograd Arena| në orën 17:00. Më një sukses ndaj përfaqësueses afrikane, ishullorët do të ishin pothuajse të kualifikuar, ndërkohë Argjentina do të bëjë tifo për Nigerinë, ndërsa afrikanët do të luajnë për vetën e tyre, sepse me dy fitore në dy ndeshjet e mbetura do të kalonin në fazën tjetër.
Serbi-Zvicër
Ndërkohë, takimi i mbrëmjes do të luhet në orën 20:00 në “Kaliningrad Arena”. Serbia pret Zvicrën në një duel shumë interesant dhe që mund të jetë përcaktuese për fatet të dy skuadrave që do të kalonin grupin. Shqiptarët e Zvicrës, Xhaka, Shaqiri, Dzemaili dhe Behrami pas barazimit heroik ndaj Brazilit, sonte do të sfidojnë serbët me shpresën për të marrë fitoren e parë, në një ndeshje që parashikohet të jetë shumë e ashpër. Duhet thënë se Behrami pasi ndaloi Neymar-in, ka pasur disa probleme dhe është në dyshim të plotë për këtë sfidë. Nga ana tjetër Serbia është e plotë, që pas fitores ndaj Kosta Rikës do të mbështet sërish nga veteranët Kolarov e Ivanovic dhe tek të rinjtë premtues Milinkovic-Savic e Mitrovic.