Brazili kthehet menjëherë të suksesi në eliminatoret e Botërorit, “Katar 2022”, pas barazimit të vetëm të kësaj fushate përballë Kolumbisë. “Seleçao” iu imponua me rezultatin e thellë 4-1 Uruguait, duke hipotekuar praktikisht kualifikimin. Një përballje pa shumë histori në “Arena da Amazonia”, të Manausit, kur skuadra e Tite realizoi dy gola për 18 minuta. Fillimisht zhbllokoi takimin Neymar, i shërbyer nga Fred, për të ardhur më pas te dyfishimi i Raphinhas.
Uruguaianët nuk mundën ta përballonin furinë e brazilianëve dhe në të 58-tën Raphinha realizoi të dytin personal dhe të tretin për ekipin e tij.
Luiz Suarez shënoi golin e nderit për Uruguain në minutën e 77-të, por vetëm 6 minuta më vonë Gabriel Barbosa, pas bashkëpunimit me Neymarin vulosi rezultatin 4-1.
Feston edhe Argjentina, së cilës i mjaftoi goli i Lautaro Martinezit në fundin pjesës së parë për të mposhtur Perunë në Buenos Aires. Duket pranuar se Messi me shokë patën edhe pak fat në këtë sukses, pasi në Yotun i Perusë humbi një 11 metërsh në pjesën e dytë (65’).
Vijon ringritjen Kili, që mori një fitore të thellë 3-0 përballë Venezuelës në sfidën e zhvilluar në stadiumin e kryeqytetit Santiago. Pulgar realizoi dy herë në pjesën e parë për “La Rojan”, ndërsa në fraksionin e dytë e gjeti rrjetën edhe Brereton.
Në rënie të lirë Paraguai, që u gjunjëzua 4-0 përballë Bolivisë, në kryeqytetin La Paz. E zhbllokoi takimin Ramallo e pak më vonë Sanabria humbi 11-metërsh për Paraguain dhe mundësinë për të barazuar.
Në gjysmën e dytë të lojës shtuan emrin në listën e golashënuesve Villarroel, Abrego dhe Fernandez. I vetmi takim që përfundoi pa gola ishte ai mes Kolumbisë dhe Ekuadorit.