Pas vitesh të tëra në gjyq për krime lufte, deputeti kroat Branimir Glavas ka vazhduar të përfitojë nga rrethanat e favorshme që e kanë mbajtur atë jashtë gjyqit dhe kanë ruajtur statusin e tij si lojtar politik
“Unë jam absolutisht për gjykimin e krimeve të luftës, pa marrë parasysh se në cilën palë u kryen ato,” tha deputeti kroat Branimir Glavas të hënën për N1TV, kur u pyet për një protestë të planifikuar në Vukovar, që thuhet se u shkaktua nga mungesa e ndjekjeve penale të krimeve të luftës kundër kroatëve të kryera në qytet në vitin 1991.
Deklarata të tilla janë pothuajse një klishe në rajonin e ish-Jugosllavisë, por ato funksionojnë për mrekulli. Pasi ai përdori këtë frazë, askush nuk mund ta akuzonte Glavasin, një i pandehur prej shumë kohësh për krime lufte, për mosrespektim të sundimit të ligjit.
Në intervistën e tij me N1 TV, Glavas gjithashtu u përpoq të mbronte kryeministrin Andrej Plenkoviç, i cili thuhet se është shënjestra e një komploti “grushti shteti” të krahut të djathtë brenda Partisë Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ. Glavas pretendoi se protesta e planifikuar është politikisht e motivuar dhe nuk kishte lidhje me krimet e luftës dhe po organizohet nga deputeti Milijan Brkiç, i cili besohet të jetë kundërshtari i Plenkoviçit brenda HDZ-së.
Në muajt e fundit, me një shumicë të vogël në parlament, Plenkoviçi praktikisht varej nga votimi i Glavasit. Glavasi, i cili ka partinë e tij politike dhe e portretizon veten si konservator, e mbështeti Plenkoviçin gjatë një votimi parlamentar mbi miratimin ose jo të Konventës së Stambollit të Këshillit të Europës, që synon të trajtojë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje – një lëvizje që u kundërshtua fort nga e djathta. Katërmbëdhjetë deputetë të HDZ votuan kundër, por Glavas dha mbështetjen e tij.
Para se dikush të fillojë të mendojë se Glavasi është kalorësi i Plenkoviçit me parzmore të shndritshme, një luftëtar trim për vlerat liberale kundër radikalëve të krahut të djathtë, ata duhet të mësojnë disa nga gjërat e tjera që ai ka thënë gjatë viteve, si edhe me gjërat për të cilat ai akuzohet ende se ka kryer.
Vlen gjithashtu të theksohet se jo vetëm që ka arritur të shmangë dënimin për krimet e tij të dyshuara që prej vitit 2006 – kur ai u arrestua për herë të parë – por gjithashtu ka arritur të ketë një karrierë të gjatë politike dhe të jetë pjesë e shumicës qeverisëse në parlament. Ndryshe nga viktimat e tij të dyshuara, të vdekura prej pothuajse 27 vjetësh, Glavas ka mbijetuar.
TORTURË ME ACID BATERIE
“Kjo qeveri është shkaku i gjithë mjerimit dhe zhgënjimit, ne kemi nevojë për një shtysë të re, të rikarikojmë bateritë, të jemi gati për sfida dhe luftë,” tha Glavas në shkurt të vitit 2015 në qytetin lindor kroat të Osijekut pasi u lirua nga burgu. Ai kishte vuajtur një dënim me burg për urdhërimin e ekzekutimit të 7 civilëve serbë të Kroacisë në Osijek në 1991, si komandant i forcave të mbrojtjes të qytetit. Gjykata vërtetoi se ai krijoi dhe armatosi një njësi speciale e njohur me shumë emra – Trupa Mbrojtëse ose Batalioni i Osijekut i Branimirit – dhe veproi si komandant i saj efektiv. Ajo që e bën deklaratën e Glavas pas lirimit të tij më interesante është mënyra në të cilën disa prej viktimave u torturuan përpara se të vriteshin. Në çështjen e koduar me emrin “Garazhi”, e emërtuar sipas vendit në të cilin të burgosurit mbaheshin dhe torturoheshin, gjykata konstatoi se një burrë i quajtur Cedomir Vuçkoviç u detyrua të pinte acidin nga një bateri makine. Pas pirjes së acidit, Vuçkoviçi, me dhimbje të paimagjinueshme, doli nga garazhi që më pas të qëllohej me armë nga Krunoslav Fehir, një nga njerëzit e Glavasit. Në këtë kuptim, shprehja e çuditshme e Glavasit në fjalimin e tij të kthimit në shtëpi ishte simptomatike. Ai përdori fjalën ‘akumulator’ – në kroatisht për bateri makine.
NDËRPRERJE TË PËRSËRITURA TË DREJTËSISË
Është gjithashtu e rëndësishme të dihet se Glavasi nuk u lirua nga burgu sepse ai u gjet i pafajshëm. Në janar të vitit 2015, në mes të një sage ligjore të komplikuar, Gjykata Kushtetuese Kroate anuloi vendimin e tij përfundimtar të dhënë nga Gjykata e Lartë në vitin 2010. Gjykata Kushtetuese nuk pretendoi se Glavas nuk ishte fajtor, por e anuloi vendimin për shkak se në gjyqin e tij ishte përdorur protokoll i gabuar nga Konventat e Gjenevës. Në korrik 2016, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e shkallës së parë të dhënë nga gjykata e qarkut të Zagrebit në vitin 2009 për të njëjtën arsye. Gjyqi i Glavasit më pas rifilloi përsëri përpara gjykatës së qarkut të Zagrebit në tetor 2017. Që nga ditët e para të gjykimit të tij, Glavas kërkoi të pengonte procedurat. Në vitin 2006, kur u arrestua për herë të parë, ai nisi një grevë urie 37-ditore. Kjo e ndërpreu hetimin për çështjen e ashtuquajtur “Sellotape” kundër tij dhe e nxori atë nga paraburgimi.
Në rastin “Sellotape”, njësia e Glavasit arrestoi gjashtë civilë në nëntor dhe dhjetor 1991 dhe pastaj i torturoi në një bodrum në Osijek. Ata më pas u çuan në bregun e lumit të Drava, ku anëtarët e njësisë i ekzekutuan, me duart e lidhura pas shpine me shirit ngjitës.
Në vitin 2007, Zyra e Prokurorit të Shtetit paraqiti një padi për çështjen “Sellotape”, duke e futur Glavasin në paraburgim. Ai pastaj filloi një tjetër grevë urie, këtë herë për 24 ditë.
Kur më vonë atë vit filloi gjyqi i tij para gjykatës së qarkut të Zagrebit, ai hyri në grevë urie për herë të tretë – këtë herë për 65 ditë.
Duke qenë se ai në atë kohë ishte deputet, parlamenti u desh t’i hiqte atij imunitetin. Megjithatë, në ato që disa mund t’i quajtën “akrobaci ligjore”, parlamenti thjesht i hoqi imunitetin, në mënyrë që ai të gjykohej, dhe nuk e futi atë në paraburgim siç ndodh me shumicën e të dyshuarve për krime lufte, duke e lënë atë të lirë. Gjatë gjykimit, ai publikoi në internet emrin e një prej viktimave, identiteti i të cilit mbrohej nga gjykata, për të cilën ai nuk u gjykua kurrë, pavarësisht faktit se u paraqitën kallëzime penale. Ditën kur vendimi për të u lexua përpara gjykatës së qarkut të Zagrebit, duke e dënuar atë me dhjetë vjet burg, ai qe në gjendje të ikte në Bosnjën dhe Hercegovinën fqinjë sepse nuk ndodhej në paraburgim. Duke qenë se ai mban dy nënshtetësi, kjo pengoi mundësinë e ekstradimit. Megjithatë, pasi Gjykata e Lartë konfirmoi vendimin – duke e ulur dënimin në tetë vjet – gjykata shtetërore e Bosnjës e konfirmoi vendimin, duke e dërguar atë në burg në Zenica dhe pastaj në Mostar.
NJË MBIJETESË POLITIKE SHUMËVJEÇARE
Edhe pse mediat kishin raportuar për krimet e tij të dyshuara për vite me radhë, hetimi dhe ndjekja penale e Glavasit filloi vetëm kur ai u konfliktua me kryetarin e HDZ, kryeministrin e atëhershëm Ivo Sanader, në 2005. Glavas nisi një rebelim të anëtarëve të HDZ nga Kroacia lindore kundër lidershipit të partisë, dhe Sanaderi e dëboi atë. Glavas më pas i mblodhi rebelët rreth vetes dhe krijoi vetë një parti, Aleancën Demokratike Kroate të Sllavonisë dhe Baranjës, HDSSB. Ndërsa ndjekja e tij penale përkoi me ndarjen e tij politike me Sanaderin dhe HDZ-në, ai e përdori situatën në favor të tij, duke e paraqitur veten si viktimë e një gjyqi të motivuar politikisht. Kur partia HDSSB u shpërbë, Glavas edhe një herë gjeti një mënyrë për të mbijetuar politikisht. Ai u bashkua me shumicën qeverisëse të HDZ-së në parlament, gjë e cila i dha më shumë pushtet politik sesa thjesht të ishte deputeti i vetëm i HDSSB në një parlament prej 151 deputetësh. Ndërkohë HDZ kishte nevojë për mbështetjen e tij për të fituar vota në legjislaturë pasi u nda me partnerin e vogël të koalicionit, Ura e Listave të Pavarura, MOST. Kjo ndodhi kur pati një tjetër ngjarje me leverdi. Pas disa seancave në rigjykimin e tij përpara gjykatës së qarkut të Zagrebit, gjykata vendosi në mars të këtij viti ta ndajë çështjen e Glavasit nga ajo e pesë prej vartësve të tij të cilët po gjykoheshin bashkë me të. Pa dyshim, gjykata argumentoi se kjo ishte sepse të dy protokollet e Konventave të Gjenevës duhet të zbatoheshin në rastin e Glavasit dhe vetëm një nga protokollet në rastin kundër pesë vartësve të tij. Ndonëse kjo mund të ngjajë si një çështje ekskluzivisht procedurale, ajo do të rezultojë në heqjen nga dosja e çështjes së Glavasit deklaratat në të cilat vartësit e tij e akuzojnë atë për krimet. Vartësit e Glavasit do të shfaqen në gjyqin e tij si dëshmitarë dhe jo si bashkë-autorë dhe do të kenë mundësinë të ndryshojnë dëshmitë e tyre.
Ndërkohë që protokollet e Konventave të Gjenevës u krijuan për të mbrojtur viktimat, në këtë rast, ato po mbrojnë mirë autorin e dyshuar. Për më tepër, gjykata vendosi në qershor të këtij viti të heqë dëshminë e dhënë nga Krunoslav Fehir nga dosja e çështjes Glavas – prova kryesore kundër tij – duke pretenduar se ishte e paligjshme. Por OJQ-ja në Zagreb Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën, e cila ka ndjekur nga afër çështjen për vite me radhë, vuri në dukje se Gjykata e Lartë vendosi dy vjet më parë se provat nuk ishin të paligjshme. Ky ishte një tjetër zhvillim i leverdisshëm për Glavasin. Documenta pohoi se duke refuzuar këtë provë, si edhe duke ndarë rastet, gjykata po pastronte rrugën për të liruar Glavasin.
Nëse kjo ditë fatkeqe vjen, Glavas nuk do të jetë vetëm një burrë i lirë, por do të shihet gjithashtu si viktimë e një gjyqi të padrejtë dhe të motivuar politikisht. Ai do të hyjë në histori si një politikan i moderuar, një luftëtar kundër radikalëve të ekstremit të djathtë dhe një njeri që u përpoq të ndërtonte një demokraci të shëndetshme kroate. Dhe kjo do të ishte vërtet shumë me leverdi për të./BIRN