Bujar KURTAJ
Meriton Berisha, ish-futbollisti i njohur nga Shkupi, kishte vendosur të mos e ndjek rrugën e prindërve të tij, babait Agronit, nënës së tij Naxhijes dhe motrës gjithashtu shumë të njohur, Erzana Berisha. Edhe pse si fëmijë ka qenë i frymëzuar nga prindërit e tij dhe i mbështetur nga ata, Meritoni në moshën pesë vjeçare kishte filluar të merret me muzikë, ku më pas kishte vijuar edhe shkollën e ulët të muzikës. Mirëpo, gjashtë vite më vonë, ai vendos ta braktis muzikën në këmbim të futbollit dhe që nga ajo kohë, ai filloi të merret me futboll, duke luajtur për klubet e njohura shqiptare Slloga Jugomagnat (tani FC Shkupi), ku këtu i kaloi të gjitha gjeneratat e deri te ekipi i parë, më pas ka luajtur edhe tek Shkëndija e Haraçinës, Shkëndija e Tetovës, Drita e Gjilanit, Kosova e Prishtinës, Dinamo Tirana, Bashkimi dhe Milano nga Kumanova, Drita e Bogovinës dhe në fund u kthye aty ku e nisi te FC Shkupi ku edhe e përfundoi karrierën si futbollist. Por, edhe pas përfundimit të karrierës, Meritoni nuk u nda nga futbolli, por kësaj radhe në një rol krejt ndryshe, atë të menaxherit ku aktualisht po tregohet mjaft i suksesshëm, pasi ai është menaxher i futbollistit aktualisht më të mirë shqiptar nga Maqedonia, Enis Bardhi. Për jetën e tij, karrierën si futbollist dhe pas saj, Meritoni të gjitha këto i tregon në intervistën për gazetën KOHA.
KOHA: Meriton, vjen nga një familje artistësh, respektivisht këngëtarë, ndërsa ju nuk shkuat pas hapave të tyre?
BERISHA: Është e vërtet se vij nga një familje artistesh, por kjo nuk donë të thotë dhe të vazhdoj hapave te tyre edhe pse vazhdimisht kam qen i rrethuar me artin. Mirëpo, ja që futbolli ishte ajo qe më pushtoi tërësisht në çdo aspekt dhe gjithmonë më mbush me energji pozitive.
KOHA: Braktise shkollën e muzikës, në këmbim të futbollit. Si ndodhi kjo?
BERISHA: Atëkohë isha duke vijuar shkollën e ultë të muzikës dhe cilësohesha si talent i saj, por një ditë shkova në stërvitjet të futbollit me shokët e klasës dhe që nga ajo ditë vazhdoj rrugëtimi im në futboll.
KOHA: Si e pranuan familja kur u tregove se ke lënë muzikën dhe do të merresh me futboll?
BERISHA: Normalisht në fillim kisha shumë vërejtje gati nga të gjithë anëtarët e familjes përveç babait tim, i cili më dha mbështetje. Mirëpo, unë isha shumë i vendosur për këtë gjë dhe kështu fitoj vendosshmëria ime kundrejt mospëlqimeve të familjarëve të mi.
KOHA: Keni pasur një karrierë të pasur, duke luajtur kryesisht për ekipet shqiptare. A është kjo një koincidencë apo e qëllimshme?
BERISHA: Nga të dyja ka nga pak, duke marr parasysh kohën në të cilën u zhvillova si futbollistë. Ishte shumë më lehtë të luaj dhe poashtu të kontribuoj për futbollin shqiptar, i cili aso kohe këtu në Maqedoni ishte lënë pas dore nga rrethanat politike që mbizotëronin.
KOHA: Duke marr parasysh se si futbollist keni luajtur për shumë klube, a beson se nëse ishe marr me muzikë, do të kishe edhe aty sukses?
BERISHA: Në muzikë do ta kisha edhe më lehtë për të arrit sukses se aty e kisha gjet përkrahjen e familjes time, por un zgjodha rrugën më të vështirë, të merrem me futboll dhe besoni se gjithçka çka kam arrit, e kam bërë me punën time dhe me vullnetin tim.
KOHA: Çdo fillim ka edhe një fund. Kur braktise futbollin dhe çka të shtyri të vazhdosh si menaxher?
BERISHA: U nisa nga vetvetja, më herët e ceka se nuk kisha mbështetje të duhur si futbollist për të ecur akoma më tepër në karrierë. Mu për këtë i dhashë detyrë vetes që pas përfundimit të karrierës si futbollist, të vazhdoj si menaxher kryesisht i lojtarëve të rinj të cilët më së tepërmi kanë nevojë për mbështetjen e tyre për ti arrit majat e futbollit.
KOHA: Paralelisht kësaj, ke hapur edhe shkollën e futbollit “Albarsa”. Na trego më tepër për këtë shkollë.
BERISHA: Kjo përgjigje korespodon me përgjigjen paraprake, që donë të thotë se shkollën e kam hapur fillimisht për t’iu dhënë rast fëmijëve nga rrethi jonë që të aktivizohen me futboll, dhe nga këto fëmijë të selektohen më të mirët dhe më pastaj të inkuadrohen mundësisht në futbollin profesional.
KOHA: Po nga kjo shkollë ka dal edhe aktualisht futbollisti më i mirë shqiptar që luan jashtë Maqedonisë, Enis Bardhi. Si ndodhi kjo, mund të na përshkruash?
BERISHA: Enisin për herë të parë e kam takuar te shkolla e futbolli ‘Skupi’ ku dhe filloi rrugëtimi ynë së bashku që pastaj të vazhdojmë në ‘Albarsa’ ku dhe kishim ekipin e parë në atë kohë. Pastaj rrugëtimi ynë vazhdoi në Suedi te Agim Sopi dhe si pasojë e punës së palodhshme që kemi bërë që të gjithë së bashku dhe me përkushtimin dhe potencialin që e posedon Enisi, arritëm që ai sot është reprezentues i seniorëve dhe njëri nga më meritorët për plasmanin e përfaqësueses së Maqedonisë deri 21-vjeç në Poloni si dhe golashënuesi më i mirë te skuadra e Ujpesht në kampionatin hungarez.
KOHA: Aktualisht te “Albarsa” ka ndonjë lojtar që mund të shkojë hapave të Bardhit?
BERISHA: Është Burim Kurti dhe Izet Ajrullahu. I pari vjen nga shkolla ‘Albarsës’, ndërsa i dyti vjen nga shkolla e ‘Skupit’ të cilin e kam përcjell shumë dhe më ka bind me kualitetet që i posedon. Të kthehem te Burimi, i cili me stilin e lojës që ka, ta përkujton menjëherë Enisin, lojtar inteligjent, shumë teknik i cili luan me të dy këmbët por që edhe ai edhe Izeti kanë akoma për të punuar dhe për ta dëshmuar veten sikur që e bëri Enisi. Rastin e kanë që të dytë ngase prej janarit 2017 do të jen pjesë e skuadrës se të rinjve të Ujpeshtit U-19.
KOHA: Ku e sheh të ardhmen e Bardhit, duke marr parasysh se ju jeni menaxher i tij?
BERISHA: Fillimisht kisha kërkuar nga Zoti që Bardhit ti jep shëndet e për të tjerat besoj se Enisi do ti shpalos së shpejti me punën që po e bën. Un personalisht at e shoh në njërën nga pesë Kampionatet e Evropës. Këtë e them me bindje sepse Enisi është i lindur për këtë.
KOHA: Pos Bardhit, keni ndonjë lojtar tjetër që e menaxhoni?
BERISHA: Për momentin pos Enisit, e menaxhoj dhe Angellovin, Burimin dhe Izetin poashtu i përmenda më herët dhe disa lojtar të rinj që akoma janë në zhvillim dhe se duhet kohë për të ardhur tek nivelet që kërkohen nga ata dhe ja që është dhe herët ti japim emrat e tyre.
KOHA: Çfarë duhet të bësh, për tu bërë një menaxher i suksesshëm?
BERISHA: Prej asaj që kam dëgjuar, lexuar, por edhe prej asaj të paktë që e kam përjetuar, për tu bë një menaxher i suksesshëm, duhet të jesh shumë modest, komunikativ, i socializuar, profesionistë në punën që e bën, të jesh tepër i angazhuar, ti respektosh njerëzit për rreth teje, të bashkëpunosh me klientët e tu, të jesh në hap me kohën, të kesh prirje për ta detektuar një talent ose lojtar futbolli dhe e shumë gjëra që janë të lidhura me këtë veprimtari.
KOHA: Çka duhet të posedojë një lojtar, që ju më pas të përkujdeseni për karrierën e tij?
BERISHA: Mbi të gjitha duhet të ketë një karakter të fortë, mentalitet të shëndoshë e pastaj vijnë ato karakteristikat që e dallojnë si lojtar i mirë në fushë: i shpejtë, fizikisht i përgatitur, teknik i mirë, taktikisht i orientuar, inteligjentë etj.
KOHA: A ka në Maqedoni futbollist të talentuar, dhe sa punohet me ata?
BERISHA: Ka shumë lojtarë të talentuar, por zakonisht një pakicë e arrijnë suksesin, e ato janë që kanë vendosshmëri të madhe, disiplinë, dëshirë dhe motiv për ti arrit objektivat që kanë si futbollistë.
KOHA: Ku e sheh veten në të ardhmen?
BERISHA: Unë veten time në të ardhmen e shoh përkrah lojtarëve të mi, të cilët më japin gjithmonë elan të jem me ta në momente të mira, por dhe në ato të vështira. Suksesi i tyre më gëzon pa masë dhe gjithmonë ata do të jenë në plan të parë ndërsa un do ti ndjek ato sikur të jem hija e tyre.