Në fillim të këtij viti gjyqtari i njohur anglez, Mark Klattenburg, deklaroi se do të hiqte dorë nga arbitrimi në Premier Ligë për t’u zhvendosur në Arabinë Saudite pas ofertës së federatës aziatike për të marrë drejtimin e departamentit të gjykimit në këtë institucion. 42-vjeçari, në prononcim të fundit ka zbuluar se këtë vendim e kishte marrë menjëherë pas kritikave të Murinjos në përfundim të ndeshjes mes Mançester Junajtedit dhe Stok Sitit, që u mbyll në barazim 1-1 (Uejn Runi theu rekordin e Sër Bobi Çarlton si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për “Djajtë e Kuq”).
“Murinjo erdhi në dhomat e zhveshjes së arbitrave, pasi ishte i mërzitur që nuk i kisha akorduar një 11-metërsh për prekje me dorë të topit në zonë. E ndjeja që performanca ime ishte e mirë në një stadium të “nxehtë”. Të gjykosh Mançesterin nuk është asnjëherë e lehtë. Mirëpo Murinjo më futi në mendime. Isha i bindur se kisha vepruar drejt. Pastaj i bëra pyetje vetes: a duhet të jem akoma pjesë e kësaj? E kuptova që kjo punë nuk po më jepte më kënaqësi, ndaj vendosa të largohesha”, deklaroi Klatenburg. 42-vjeçari ka gjykuar për herë të parë në Premier Ligë në vitin 2004, ndërsa konsiderohej një nga gjyqtarët më të mirë të FIFA-s, të cilit i janë besuar ndeshje shumë të rëndësishme ndërkombëtare.