Nuk është menduar dy herë Zac Edwards, 32 vjeç, teksa ka ndërprerë shërbimin fotografik post-martesor (në plazh) për t’u hedhur në ujë dhe shpëtuar një 18-vjeçar i cili rrezikonte të mbytej. Dhëndri-hero, punonjës në Rojen Bregdetare të SHBA-ve, sapo ishte martuar me Cindy-n, 32 vjeçe, e cila mbështeti gjestin e bashkëshortit. “Duhet të dëgjosh gruan tënde, ose ndryshe je në telashe…”, – i tha ajo para aktit heroik. Ngjarja ka ndodhur në Alabama.
Siç raportohet nga “Daily Mail”, Zac dhe Cindy sapo ishin duke u paraqitur për xhirimin e fotografive në plazh, kur dëgjuan britmat e një gruaje. Kjo e fundit tregoi se Jamel Robinson, një 18-vjeçar, ishte në rrezik mbytjeje. Zac arriti të heqë këmishën e tij, u përpoq të bënte të njëjtën gjë me pantallona të shkurtra, por nuk kishte më shumë kohë: Jameli vazhdoi të largohej nga bregu për shkak të rrymave të forta. Dhëndri u zhyt dhe u përpoq ta shpëtojë me vështirësi, derisa arritën shpëtuesit e Departamentit të Zjarrit, “Orange Beach Surf Rescue”.
Zac ndihmoi ekipet të hipnin 18-vjeçarin në një motor uji dhe pastaj të ngjitej edhe vetë për të zbritur në breg. “Ne jemi aq të lumtur që e bëmë këtë”, u shpreh çifti i sapomartuar, duke shtuar: “Unë mendoj se njerëzit e nënvlerësojnë oqeanin, ishte një ditë e keqe dhe notarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në këto raste”. “Unë me të vërtetë e vlerësoj këtë,” tha Jamel, duke falënderuar Zac për shpëtimin e jetës së tij.
Pastori, që celebroi martesën e lavdëroi dhëndrin për aktin e guximit: “Ishte e pabesueshme: fakti që ky njeri ka ‘sakrifikuar’ kohën në ditën e tij të veçantë për të shpëtuar dikë tjetër, është i admirueshëm”.