Shkup, 23 janar – Përvojat malazeze me përdorimin e gjuhëve janë të shkëlqyera. Në katedrën e fakultetit kemi repart për mësimdhënës të gjuhës shqipe. Të drejtat e njeriut dhe të pakicave asnjëherë nuk përfundojnë, por gjithmonë duhet të përparohen, sepse të gjithë ne jetojmë në një vend të përbashkët.
Këtë e deklaroi kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Ivan Brajoviq në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me homologun e tij të Maqedonisë Talat Xhaferi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për atë se cilat janë përvojat e përdorimit të Ligjit për gjuhët në vendin e tyre i cili ekziston tashmë dy vite dhe parasheh përdorim të gjuhës shqipe në komuna ku ka pesë për qind të popullatës shqiptare.
Ai potencon se Mali i Zi pret shumë shpejtë ta përshëndesë Maqedoninë si anëtare e 30-të e NATO-s.
“Çdo njohuri e jona eksperte dhe përvojë që e fituam në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, ndërsa Mali i Zi do të jetë anëtarja e parë e ardhshme e Unionit, me kënaqësi do ta ndajmë me miqtë e Maqedonisë ose shumë shpejtë Republika e Maqedonisë Veriore”, tha Brajoviq.
Theksoi se është personi i parë zyrtar për vizitë zyrtare në Maqedoni pas sjelljes së vendimeve historike, por edhe se është kryetari i parë i Parlamentit malazez i cili vjen për vizitë në vend nga pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Xhaferi në takim e ka informuar mysafirin e tij se me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në shtëpinë ligjdhënëse Maqedonia e përfundoi pjesën e saj nga implementimi i Marrëveshjes së Prespës dhe se tani pret rrjedhë pozitive edhe nga ana greke.
“Falënderohem për mbështetjen e fuqishme që e morëm nga Mali i Zi për të cilën integrimi jonë në NATO paraqet interes kombëtar sepse pajtohemi se me atë do të arrihet stabilitet në rajon dhe ashtu do të mundemi të intensifikojmë bashkëpunimin rajonal dhe me atë të hapim perspektiva të reja për qytetarët tanë me përmbajtje dhe projekte cilësore”, tha Xhaferi.
Ai nënvizoi se është i bindur se periudhën e ardhshme theksi i bashkëpunimit bilateral dhe parlamentar i të dy vendeve do të vendoset në këmbim të përvojave në lidhje me negociatat me BE-në me shikim të, siç thotë, agjendës negociuese dinamike të Malit të Zi dhe fakti se Maqedonia e filloi tashmë fazën përgatitëse të procesit të skriningut.
Të dy u pajtuan se duhet së bashku të punojnë edhe në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik për çka ekziston potencial i madh i pashfrytëzuar.