Brad Pitt dhe Angelina Jolie janë tani edhe zyrtarisht beqarë, më shumë se dy vjet pasi që ajo e paraqiti kërkesën për shkurorëzim.
Të premten e kaluar një gjyqtar vendosi që martesa e ish-çiftit zyrtarisht mbaron pasi që çifti kërkoi një aktgjykim të dyfishtë, gjë që do ta lejonte rikthimin e statusit të tyre si të pamartuar ndërkohë që e finalizojnë shkurorëzimin e tyre, sipas Entertainment Tonight.
Pitt dhe Jolie e kërkuan aktgjykimin në një kërkesë muajin e kaluar.
Aktorja dhe fituesja e çmimit “Oscar” bëri kërkesë për shkurorëzim në shtator të vitit 2016, pas dy vjet martese dhe më shumë se 10 vjetësh me yllin e “Moneyball”.
Pasoi një betejë e tensionuar për kujdestarinë e gjashtë fëmijëve të tyre – 17-vjeçarit Maddox, 15-vjeçarit Pax, 14-vjeçares Zahara, 12-vjeçares Shiloh dhe binjakëve 10-vjeçarë Knox dhe Vivienne – gjatë të cilës Pitt u hetua për abuzim të fëmijëve, për çfarë u gjet i pafajshëm.
Por në muajin nëntor çifti e kishte arritur një marrëveshje të përkohshme të kujdestarisë dhe mosmarrëveshjet midis ish-çiftit rreth kujdesit të fëmijëve u zgjidhën.
“Një marrëveshje kujdestarie u dakordua disa javë më parë, dhe u nënshkrua nga të dyja palët dhe gjykatësit”, tha në një deklaratë avokatja e Jolie, Samantha Bley DeJean.
Një burim i afërt me çiftin tha për Entertainment Tonight se Jolie është “e kënaqur që ka hyrë në fazën e ardhshme dhe u lehtësua me progresin për shëndetin e familjes së tyre”.
Zgjidhja përfundimtare e shkurorëzimit me siguri do të zgjasë disa muaj, ndërkohë që vazhdojnë ta zgjidhin ndarjen e pronës dhe ta arrijnë një urdhër të përhershëm kujdestarie para se gjykatësi të mundë t’i deklarojë ata të shkurorëzuar edhe ligjërisht, shkruan KOHA Ditore.
Pitt dhe Jolie e filluan lidhjen në vitin 2005, ndërsa u martuan në vitin 2014, por papritur u ndanë në vitin 2016, pasi ylli i “Maleficent” e paraqiti kërkesën për shkurorëzim duke i theksuar dallimet e papajtueshme si arsye të kërkesës.