Valeri Bozhinov, një emër i njohur i futbollit evropian në dekadën e kaluar, shumë shpejt mund të bëhet pjesë e Kategorisë Superiore. VIP Sport ka mësuar se për ish-futbollistin e Juventusit, Fiorentinës, Parmës, Mançester Sitit e Sporting Lisbonës mes të tjerash, ka interesim nga klube të Superiores dhe kanë nisur negociatat për ta sjellë në kampionatin tonë në janar.
Bozhinov, tashmë 33-vjeçar, në dy vitet e fundit ka luajtur në Bullgari me fanellën e Botev dhe Levski Sofje, por që nga fundi i dhjetorit është pa kontratë pasi vendosi të largohej nga klubi i Botëv ku luajti më së fundmi. Futbollisti që ka luajtur 43 ndeshje duke shënuar 6 gola për Bullgarinë është në kërkim të një etape të re për karrierën e tij dhe një nga destinacionet e mundshme është dhe Superiorja.
Përfaqësuesi i tij, menaxheri Shaqir Rexhepi, ka konfirmuar për VIP Sport se ekziston hipoteza reale e transferimit të sulmuesit në Superiore dhe vazhdojnë negociatat me disa klube të ndryshme. “Është e vërtetë që ka interesim nga Shqipëria. Nuk mund të tregoj emrat e këtyre skuadrave, por ka interesim konkret për transferimin e tij”, deklaroi menaxheri.
Tani pritet të mësohet nëse këto interesime do të konkretizohen me një kontratë e për më tepër se cila është skuadra më e interesuar për të siguruar shërbimet e një sulmuesi të tillë, i cili dikur shihej si një nga premtimet më të mëdha të futbollit evropian.