Shtëpia botuese e njohur kroate, “Tim-Press” me qendër në Zagreb, sapo ka publikuar në një vëllim të përbashkët dy romane të shkrimtarit të mirënjohur, Luan Starova. Vepra e këtij autori të shquar po botohet gjerësisht kohët e fundit jo vetëm në gjuhët e rajonit ballkanik, por edhe në ato të Europës, në të cilat mbërritja e këtij shkrimtari është përjetuar sipas fjalëve të filozofit dhe sociolog francez të njohur ndërkombëtarisht Edgar Morin, i cili shkruan: “Franca ka zbuluar me habi dhe me emocion shkrimtarin Luan Starova, romancierin e papërsëritshëm, të veçantë si ai, të paklasifikueshëm dhe megjithatë, të mirëvendosur, të mirëankoruar”
Bëhet fjalë për romanet “Koha e dhive” dhe “Kthimi i dhive”. Nuk është hera e parë që romani kult i Starovës “Koha e dhive” botohet në gjuhën kroate. Kjo vepër e publikuar deri më sot në 20 gjuhë të botës, është publikuar në Kroaci edhe dy dekada më parë, si pjesë e edicionit të mirënjohur “romanet-hit”.
Pritja e jashtëzakonshme që iu bë asokohe këtij romani në botimin e tij të parë zgjoi kureshtjen edhe për botimin e romanit të dytë, titulluar “Kthimi i dhive”. Në të vërtetë, kjo zgjidhje e shkëlqyer editoriale bën të mundur që veprat të funksionojnë si një vijimësi e pandërprerë dhe si vepra në funksion të njëra-tjetrës. Dihet tanimë se romani “Koha e dhive” u prit mjaft mirë jo vetëm nga lexuesi, por u vlerësua lart edhe nga emrat më të shquar të kritikës së kohës. Mes tyre ishte edhe studiuesi dhe shkrimtari Predrag Matvejevi? e përcolli kështu botimin e librit: “Kjo vepër që lindi në kohën e çarjeve ideologjike, ia del të shpërfaqë shumëçka prej kuptimit të kufizuar të realitetit që mund të jetë magjik si tek G. G.Marquez”. Po ashtu, romancieri i njohur Erik Faye thekson në artikujt e tij kushtuar krijimtarisë së gjerë të Luan Starovës se, “letërsitë e Ballkanit na kanë dhuruar përherë perla të vërteta, si romani i Starovës ‘Koha e dhive’. Lexuesit e Kadaresë, Pekiqit ose Stepanovi?it, në romanet e tij do të gjejnë edhe një dritare në kulm, të hapur drejt motiveve”. Po ashtu, akademiku Georgi Stardellov, ndërmjet tjerash shkruan për këtë roman: “U rrëmbeva që nga leximi i parë i dorëshkrimit, jo vetëm nga origjinaliteti i temës së tij, jo vetëm nga shtresat e shumta kuptimore dhe etike, por edhe nga shkrimi artistik, në të cilin ndërthuren realja me irealen, historia dhe poezia, tragjedia dhe parodia, realistja dhe fiksioni, epikja dhe lirikja, ajo melankolia andriçiane dhe ajo ironia e heshtur dhe e njohur çingoviane, e gjitha e amalguar në një tërësi komplekse artistike dhe estetike”. Në parathënien e botimit grek, Vasilikos, i njohur edhe si skenarist i filmit të famshëm të Kosta Garvrasit “Z”, mes të tjerash, theksoi: “E lexova me shumë kënaqësi romanin ‘Koha e dhive’. Në veçanti më befasoi simbolika dhe butësia e romanit. Është romani i parë që kam lexuar prej Luan Starovës.
Ai ka cilësitë e një shkrimtari të lindur. Jam i lumtur që lexova një libër të bukur për Ballkanin tonë të dashur”. Shtëpia botuese “Tim-press” botoi më herët në gjuhën kroate edhe romanin “Erveheja – libri për një nënë”, libër ky i shpallur si romani më i mirë i vitit 2005. Romani “Erveheja…” u prezantua përpara publikut lexues të Zagrebit. Në përurimin e tij, mes shumë emrave të tjerë, foli edhe shkrimtari i njohur në mbarë rajonin, Milenko Jergoviq. Romani u prezantua me sukses edhe në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Pula, ku mori pjesë edhe autori. Për këtë vepër, shkrimtari i mirënjohur francez, Filip Delavo, shkruan: “Në sagën ballkanike paraqitet figura e bukur dhe diskrete e nënës Ervehe, shoqëruesja e lexuesit të madh, përherë në shërbim të librave, por edhe si një vitore e rrallë e mbijetesës së familjes. Starova, njësoj si Margerit Jursenari, që shkruan dhe dëshmon para se apokalipsi të zhbëjë reliket, arkivat e mbrame, gjurmët e venitura të rrugëtimeve”. Deri më sot romani “Erveheja” është përkthyer në gjuhën gjermane, turke dhe bullgare. I njëjti botues (Tim-press), në vitin 2018 botoi të përkthyer në kroatisht edhe romanin e katërt të Luan Starovës “Dashuria e gjeneralit” (Generalova ljubav), veprën e frymëzuar nga ngjarjet ballkanike në kohën e Luftës së Parë Botërore. Kjo vepër e shquar u botua fillimisht në periudhën e shënimit të përvjetorit të 100 të Luftës së Madhe (Lufta e Parë botërore). Për këtë vepër u shpreh sërish Predrag Matvejeviq, i cili ka shkruar:
“Ky është roman falënderimi për përfaqësuesit e ndershëm dhe të urtë të Francës, të cilët në një periudhë të rëndësishme historike, kur hidheshin themelet e shtetit shqiptar, me guxim dhe të vetëdijshëm e ndihmuan Shqipërinë. Për këtë, dimensioni historio-grafik i romanit nuk është vetëm plotësim faktografik i personalitetit të Babait… Rrëfimi mbi dashurinë e komandantit Eduard Mortie dhe shqiptares Atina Lazarit meriton rreth të gjerë lexuesish”. Ndërkaq, shkrimtari i njohur maqedonas, Gane Todorovski, me rastin e botimit të romanit “Dashuria e gjeneralit”, në parathënien e veprës thekson: “Në romanin ‘Dashuria e gjeneralit’ ka një çiltërsi të jashtëzakonshme shpirtërore, një guxim kërlezhian, madje dhe një evrocentrizëm tërhjekës, por ka edhe pozicione morale që lënë mbresa të fuqishme. Mbi të gjitha, romani shpërfaq të dhënën se Ballkani nuk është vetëm vend përplasjesh etnike e religjioze, por edhe vend kulturash të ushqyera nga Lindja dhe Perëndimi, Veriu dhe Jugu, duke mundësuar kësisoj jetën e fisme dhe të drejtë”. Poeti i mirënjohur i maqedonas, Mateja Matevski thekson gjithashtu, duke vënë në dukje vlerat e mëdha të veprës: “Romani ‘Dashuria e gjeneralit’ i ngjan versionit shqiptar të romanit të Tolstoit ‘Lufta dhe paqja’”. Botimi i këtyre katër romaneve të shkrimtarit të mirënjohur Luan Starova shënon depërtimin e mëtejmë të “Sagës ballkanike” të autorit tonë të njohur në hapësirën kulturore dhe gjuhësore kroate, ashtu siç ndodh me botimin e shumë romaneve të kësaj sage në Francë, Gjermani, Itali, Turqi, Bullgari dhe në disa vende të tjera. Kjo, gjithsesi, është rezultat i qasjes origjinale dhe të sinqertë ndaj një materieje komplekse jetësore, aq të rëndësishme për të ardhmen e popujve ballkanikë dhe Evropën. Jo rastësisht, në Francë, ku gjer më tani janë përkthyer dhe botuar më shumë romane të “Sagës ballkanike”, kritika letrare parisiene (Livres Hebdo, 8 maj 2009) “ato i vlerëson ndër romanet më të arrirë evropianë”.
Në romanin “Shtegtimi i ngjalave” Edgar Moren nuk sheh “vetëm një vepër të shkëlqyer letrare, por edhe një krijim me dimensione historike, poetike dhe mitike”, ndërkohë që Predrag Matvejevi?, autori i parathënies së këtij romani, e konsideron veprën si “dëshminë më të rëndësishme për kufijtë e Europës”.
Brenda pranverës së këtij vitit, romani “Shtegtim i ngjalave” do të jetë në duart e lexuesit shqiptar nga botimet “Poeteka”, duke çelur kësisoj serinë e romanëve të Luan Starovës dhe rikthim në atdheun e gjuhës së tij. Më herët botimet “Poeteka” kanë publikuar edhe vëllimin me poezi të Luan Starovës “Kartagjena nuk mposhtet”. Poeti i shquar Adonis në parathënien e shkruar enkas për botimin në shqip, shprehet: “Në të dukshmen, Luan Starova e vëzhgon të padukshmen. Duke udhëtuar, ai i prek kufijtë e vendqëndrimit… Luan Starova e vështron historinë dhe atë që është përtej saj, udhëtar në vende dhe në kohë. Po ku e shpie, ajo udhë në të cilën niset, ajo, fytyra më bredharake ndërmjet fytyrave që reflektohen në pasqyrën e udhës, udhëtar-banor në çrrënjosje, bredhje dhe dykuptimësi? Kështu poeti flet nëpërmjet Kartagjenës dhe simbolikës së saj të atdheut-nënë të tij, të atyre gjërave që i ka të afërta, ndonëse jeton në çuditshmëri. Ai flet për të tanishmen duke përsiatur mbi të kaluarën.
(Përgatiti Silvana Leka)