Në rrethana normale, këtë angazhim të Qerim Litës dhe të Shtëpisë botuese “Logos A”, e bëjnë institucionet shtetërore dhe ekipet e shumta, por në rrethanat tona – ja që ketë përgjegjësi e merr një individ dhe një shtëpi botuese, të cilët i bashkuan potencialet e tyre, duke na sjellë një vepër shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve në Maqedoni
Shtëpia botuese “Logos A” realizoi edhe një projekt të veçantë dhe mbi të gjitha të rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët në Maqedoni, por edhe më gjerë. Bëhet fjalë për veprën voluminoze në gjashtë vëllime, me titull “Problemi shqiptar në RP(S) të Maqedonisë 1944-1974” të përgatitur nga historiani padyshim më produktiv, Qerim Lita, i cili bëri përzgjedhjen, redaktimin, përkthimin, duke shkruar edhe hyrjen dhe një parathënie mjaft koncize dhe sqaruese.
Mbi 450 dokumente bëjnë fjalë për QËNDRESËN ANTIKOMUNISTE, PROCESIN E SHPËRNGULJES, KËRKESAT E INTELIGJENCIES SHQIPTARE, DEMONSTRATAT E VITIT 1968, AVANCIMIN E STATUSIT dhe vëllimi i fundit për ARSIMIN, KULTURËN DHE RELIGJIONIN.
Dokumentet që botohen për herë të parë dëshmojnë për të vërtetën e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni midis viteve 1944-1974, periudhë kjo që ishte me shumë të panjohura, por që me angazhimin e jashtëzakonshëm të historianit Lita, tash e tutje do të jetë e ndriçuar dhe e argumentuar me fakte konkrete.
Dokumentet pasqyrojnë ngjarje të shumta, pastaj aktivitetin e shumë personaliteteve, të cilët e luftuan si ideologjinë komuniste, ashtu edhe procesin e shpërnguljes drejt Turqisë. Mjaftë përmbajtjesore është sidomos vëllimi ku bëhet fjalë për demonstratat e vitit 1968 në Tetovë.
Lexuesi shqiptar për herë të parë do të ketë rastin të lexojë edhe për shumë probleme të shqiptarëve në arsim, kulturë dhe religjion, të cilat përshkohen me shumë informacione. Pra në këtë projekt voluminoz dalin në pah një mori ngjarjesh dhe një galeri e madhe e personazheve që i dhanë vulë, qoftë për të mirë qoftë për të keqe, çështjes shqiptare.
Në rrethana normale, këtë angazhim të Qerim Litës dhe të Shtëpisë botuese “Logos A”, e bëjnë institucionet shtetërore dhe ekipet e shumta, por në rrethanat tona – ja që ketë përgjegjësi e merr një individ dhe një shtëpi botuese, të cilët i bashkuan potencialet e tyre, duke na sjellë një vepër shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve në Maqedoni.
Vlen të theksohet edhe ana teknike e këtij kompleti, e cila është realizuar me një shije dhe cilësi të lartë, që këtë botim të jashtëzakonshëm e bëjnë edhe më të rëndësishëm. Padyshim se ky projekt gjatë vitit 2018 do të jetë ndër më të rëndësishmit jo vetëm në Maqedoni, por në të gjitha hapësirat shqiptare.
“Logos A” edhe me këtë projekt dëshmoi se është ndër shtëpitë botuese më serioze, e cila vit pas viti lexuesin shqiptar e befason me botime të veçanta dhe të jashtëzakonshme, siç është edhe ky i fundit, i titulluar “Problemi shqiptar në RP(S) të Maqedonisë 1944-1974″. (koha.mk)