Daut Dauti: SYRI I KEQ
Daut Dauti opinionit shqiptar pos që i është i njohur si publicist, ai njihet edhe si poet dhe prozator. Së fundi, në botim të Shtëpisë botuese “Shkup”, ai na vjen me përmbledhjen poetike të titulluar “Syri i keq”. Për dallim prej përmbledhjeve të mëparshme, Dauti kësaj radhe na vjen, siç thotë edhe vetë ai, me një bashkëdyzim të poezive të viteve të fundit me ato të viteve të rinisë, përkatësisht të periudhës kur ai ishte nxënës i shkollës së mesme dhe student në vitet e para të studimeve. Një kombinim interesant i dy kohëve, të cilat dominohen me motive të ndryshme, me ndjenja të sinqerta, por që vijnë si një album i fotografive, i cili album sa herë që të shfletohet, të ngjallë vetëm kujtime. Pra, bëhet fjalë për një përmbledhje të poezive që gjithsesi vlen të lexohen.
Fatos Rushiti: KURORË
Fatos Rushiti, një nga krijuesit e plejadës së re, na vjen me një botim të ri të titulluar “Kurorë”. Në fakt, bëhet fjalë për një përmbledhje interesante, e cila dëshmon, se për dallim prej veprave të mëparshme, autori ka bërë një hap para, duke na sjellë vargje që burojnë nga çastet e fiksuara të kujtimit të dhembshëm, të cilat vijnë në formën e së bukurës. Fatosi si hero lirik, na çon drejt asaj bote, të cilën secila nga na e bart në vete, por nuk e emëron zëshëm. Është një përmbledhje ndryshe nga ato që janë botuar viteve të fundit, së paku në nënqiellin tonë. Përmbledhja “Kurorë” vjen si botim i Klubit të shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova.