Evis HALILI
Shkup, 22 shkurt – Botimet shkencore, tribunat përkujtimore, ekspozitat dhe shënimi i datave të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare kanë qenë disa prej ngjarjeve kryesore të veprimtarisë së Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve gjatë vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA. Puna më e suksesshme e këtij institucioni konsiderohen revistat “Scupi”, apo “Studime Albanologjike”, të cilat akademik Luan Starova i ka krahasuar me “Albania” të Faik Konicës, ndërsa vetë institutin si një institucion të rëndësishëm me përmasa ndërkombëtare.
“Rruga që ka marrë ITSHKSH është e vërtetë duke u bërë një referencë jo vetëm rajonale, por edhe ndërkombëtare e ndërshqiptare dhe botimet e tij siç janë Studimet Albanologjike mund t’a krahasojmë me Albanian e Konicës. Sepse është e vërtetë që studimet albanologjike kanë enë të cunguara edhe historia nga institucionet shtetërore po ashtu është trajtuar si e tillë, në kontekstin e pakicës. Instituti ka një rol të rëndësishëm dhe anëtarët e saj s’kanë një profesion, por një mision”, ka thënë Starova. I ftuar në këtë promovim të punës një vjeçare ishte edhe studiuesi David Hosaflook, drejtor i Institutit për studime shqiptare dhe protestante nga Tirana, institucion ky me të cilin ITSHKSH ka bashkëpunuar për realizimin e disa manifestimeve, siç ishte promovimi i librave për Qiriazët dhe shënimin e përvjetorit të hapjes së shkollave shqipe.
“Kalojmë ditë të mërzitshme mes librash të pluhurosur dhe papritur e gjejmë një thesar.. Kjo është një fushe e re e studimeve dhe ne mundohemi të nxisim zbulimin e historisë dhe mendimit shqiptar dhe protestant. Kemi pasur një bashkëpunim të mirë me ITSHKSH dhe do të vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm. Përmes këtij institucioni kemi propozuar që shteti shqiptar t’i japë urdhrin nder i kombit Sevasti Qiriazit. Dhe po ashtu e kam një propozim, që në Muzeun e Alfabetit në Manastir krahas atyre figurave të burrave të shquar në silikon të vendoset edhe ajo e Parashqevi Qiriazit, e cila qëndroi aty së bashku me ta, në vend të së motrës, Sevastisë”, ka thënë Hosaflook. Veprimtarinë hulumtuese dhe botuese e Institutit është mbështetur edhe nga komuna Çairit. Dhe sipas kreut të komunës, Izet Mexhiti, ITSHKSH ka qenë një nga diplomacitë më të forta kulturore të shqiptarëve në rajon gjatë vitit të kaluar, duke i u referuar ekspozitës në Nju Jork e Uashington për mbështetjen e dhënë për popullsinë hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si ngjarje të rëndësishme të 2016 sekretari shkencor Sefer Tahiri veçoi konferencat shkencore në bashkëpunim me Institutin e Historisë të Prishtinës, Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike të Tiranës, si edhe disa botime, si “Presheva në rrjedhat e historisë (shek.XX)”, “Besime popullore shqiptare – Rite e mitologji në rajonin e Kumanovës”, “Hulumtime linguistike dhe kulturë-historike në etnoregjionin e Rekës së Epërme”, e të tjera. ITSHKSH ka shënuar dhjetë vjet që nga themelimi, por çdo vit përballet me probleme gati të ngjashme financiare dhe mbështetjen e vogël institucionale. Bashkëpunimi me institucionet e ngjashme maqedonase është simbolik, madje me një pjesë as që është vendosur ndonjëherë. Gjatë vitit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës akordohet një buxhet që mbulon vetëm shpenzimet për mirëmbajtjen dhe për të punësuarit, ndërsa veprimtaria shkencore nuk ka asnjë lloj mbulese financiare. Ministria e Kulturës, apo komuna e Çairit, kanë mbështetur herë pas here ndonjë projekt, botime, ekspozita apo konferenca që janë organizuar nga ky institut.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.