(Remzi Nesimi, Për gjuhën shqipe, ITSHKSH-Shkup, 2019)
Nga Dr. Qemal MURATI
Prof. Remzi Nesimi ishte ndër pedagogët më të përkushtuar të gjuhës shqipe dhe për mbrojtjen e shqipes standarde, – andaj nuk ishte gand e e rastit që ai do të hartonte, në lak të pothuajse gjysmë shekulli, gjithë ato shkrime të përfshira në këtë vepër.
“Si mësues i nderuar i shumë brezave, ai ka ditur t’u mësojë mirë studentëve të vet jo vetëm dijet shkencore që përmbajnë librat, por edhe diçka më tepër, që nuk e kanë librat, por që e rrezaton personaliteti i mësuesit, zemra dhe sjellja e tij. Prandaj prof. R. Nesimi do të kujtohet jo vetëm si një mësimdhënës shembullor, por edhe si një edukator kombëtar, si një Mjeshtër i Madh i gjuhës shqipe dhe i shkollës shqipe” – shprehej E. Lafe në një shkrim të tij “Gjuhëtari që në kohën e duhur kreu punën e duhur” me rastin e ikjes së tij nga kjo botë (“Dita”, 5 shkurt 2018).
Jeta ikën, por vepra e tij mbetet, siç është dhe kjo vepër me vlerë e tij “Për gjuhën shqipe”, të cilën po e përurojmë sot.
Ky libër përmban një materie me shumë interes për gjuhën dhe filologjinë shqiptare, të shtrirë në tetë krerë. Aty gjejmë 83 studime, artikuj, vëzhgime, recensione, intervista për çështje problemore dhe të rëndësishme të shqipes, mendime e vlerësime për autorë, vepra, ngjarje, të botës linguistike shqiptare. Disa prej atyre punimeve kanë qenë të publikuara nëpër revista e botime të ndryshme – sot vështirë të aksesueshme, kurse një pjesë e mirë e tyre janë punime të pabotuara më parë – dhe kjo ia shton vlerën këtij botimi për të parë se sa shumëdimensionale dhe e ngulmët ka qenë puna e këtij bahçevani të shqipes.
- Në kreun e parë Për gjuhën standarde përfshihen 10 punime të shkruara me kompetencë e me dashuri të madhe për mbrojtjen e shqipes standarde. Çështja e formimit të standardit të shqipes, e ruajtjes dhe e kultivimit të këtij standardi mund të thuhet se ka qenë dhe pika më nevralgjike që e ka preokupuar gjuhëtarin tonë të shquar. Për këtë standard të shqipes që kemi sot – e që është arritja më e madhe dhe e vetmja e kombit tonë, ai ka dhënë kontribute të shquara dhe ka jo pak merita, e para dhe më e rëndësishmja është qysh me pjesëmarrjen e tij në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (20-25 Nëntor 1972).
Në atë Kongres prof. Remzi Nesimi do t’i jepej rasti të paraqiste referatin e tij “Procesi i njësimit të shqipes letrare në Maqedoni”, i katërti me radhë, menjëherë pas figurave madhore si prof. Mahir Domit, prof. E. Çabejt, dhe prof. I. Ajetit. E në këtë referat, kishte vënë si moto thënien e gjuhëtarit të madh Aleksandër Xhuvanit “Njësia e gjuhës është njësia e kombit”, dhe nisej nga rilindësit e mëdhenj që kishin punuar për gjuhën, se:
“Gjuha letrare është thesari më i madh i një populli e njëkohësisht edhe shoqëruesi më besnik i kulturës në përgjithësi, pothuaj të gjithë ideologët dhe përfaqësuesit më kryesorë të Rilindjes sonë kombëtare çështjes së gjuhës i patën kushtuar kujdesin më të madh. Ata në kushtet e asaj kohe përcaktuan edhe drejtshkrimin e atëhershëm, e pastruan gjuhën nga barbarizmat, e pasuruan fondin leksikor me fjalë nga brumi i shqipes dhe në këtë mënyrë kryen një mision të lartë patriotik”.
Njëlloj siç ka kryer një mision të tillë edhe vetë prof. Remzi Nesimi.
- Në kapitullin e dytë Për kulturën e gjuhës, prof. Nesimi përvijon të trajtojë probleme të gjendjes së shqipes në Maqedoni në rrugën e saj të shkruar gjatë Luftës dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ngre çështje të përdorimit të gjuhës letrare në mjetet e informimit në gjuhën shqipe në Maqedoni, u ka vënë gisht shmangieve nga norma letrare në emisionet në gjuhën shqipe në RTV e Shkupit, me theks të posaçëm angazhohet për të ruajtur frymën e shqipes nga ndikimet e huaja, jo vetëm nga fjalët e huaja, por dhe nga strukturat e huaja (si p.sh. ka diplomuar për është diplomuar, sepse akëcili nuk i jep diplomë vetvetes, por diplomohet nga një komision përkatës). Në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), Prof. Remzi Nesimi vuri në dukje se në Maqedoni, hap pas hapi, gjuha e shkruar erdhi duke u afruar me formën letrare të Shqipërisë. Kështu, pas botimit të Projektit të drejtshkrimit në Tiranë (shkurt 1967), gazeta “Flaka e vëllazërimit” në Shkup filloi ta zbatonte atë projekt, duke i paraprirë vendimit të njohur Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (prill 1968) për njësimin gjuhësor me praktikën e shtetit amë, sipas parimit “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare.”
III. Në kapitullin vijues Për të folmet shqipe në Maqedoni, trajtohen disa çështje dialektore të sistemit fonetik dhe morfologjik të së folmes së rrethit të Tetovës, të cilat autori më pas do t’i rimerrte e zgjeronte me një studim të hapët monografik për ligjërimin shqip të Dervenit. Prof. Remzi Nesimi i ka pasur shumë për zemër studimet nga fusha e ligjërimeve popullore. Ai ishte vëzhgues i mprehtë i gojës së popullit në të gjitha rrafshet e gjuhës. Kësaj fushe studimi i ka kushtuar një numër artikujsh si dhe disertacionin e doktoratës “E folmja e Dervenit” (krahinë ndërmjet Tetovës dhe Shkupit), të cilin e zgjeroi dhe e plotësoi më pas hap pas hapi, duke na dhënë një punim dialektologjik klasik, si nga ndërtimi, ashtu edhe nga përmbajtja dhe analizat që përmban (botuar më 2008). Studimi i tij i gjerë e i thelluar për të folmen e Dervenit plotëson hartën e dialektologjisë shqiptare me të dhëna të sigurta e me shpjegime të hollësishme për një të folme me karakteristika të veçanta të gegërishtes qendrore. Përshkrimi i disa dukurive fonetike e morfologjike të së folmes së Tetovës dhe i së folmes së Dervenit, në masën dhe në mënyrën si është bërë në ato studime, parakupton një njohje të gjerë të dialektologjisë shqiptare, nga njëra anë, dhe të sistemit të përgjithshëm të gjuhës shqipe në gjendjen e sotme e në zhvillimin historik të tij, nga ana tjetër. Studimet dëshmojnë se autori i ka arritur të dyja këto caqe.
- Në Kreun e katërt të këtij libri Për toponiminë shqiptare, autori trajton disa veçori strukturore dhe fonetike të toponimeve të rrethit të Tetovës, merr në vëzhgim disa toponime dhe mikrotoponime në rajonin e Kërçovës, dhe me një shkrim-reagim tjetër ngre zërin kundër absurdit të imponimit të përdorimit të toponimeve shqipe me format maqedonase nga regjimi i atëhershëm komunist maqedonas. Rreth kësaj çështjeje, prof. Nesimi mbante qëndrimin e drejtë, të prerë e të guximshëm se: “Përdorimi i toponimeve duhet të zhvillohet sipas kërkesave dhe normave shkencore dhe jo sipas politikës së ditës”. Është e pamundur format drejtshkrimore e drejtshqiptimore të një gjuhe t’i imponohen një gjuhe tjetër – shprehej prof. Nesimi.
Nuk e kisha ditur deri më tani se prof. Remziu kishte qëndruar edhe në shumë vendbanime të Kërçovës dhe atje kishte qëmtuar material të pasur toponimik nga të kësaj ane, të cilin e ka shtjelluar edhe nga pikëpamja e shtresëzimit – në topoleksema me burim vendës shqiptar dhe topikë të huazuar nga maqedonishtja dhe turqishtja. Në këtë pikëvështrim, ai bën dhe një paraqitje tabelare, ku p.sh. në Zajaz i dalin 50 toponime shqipe, 8 maqedonase, dhe 14 hibride. Në Greshnicë: 70 toponime shqipe, 14 maqedonase, dhe 2 hibride, – për të mos u zgjatur më tepër me shembuj të tjerë. Kjo bie ndesh me pikëpamjet e onomasticienëve maqedonas Petar Hr. Ilievski, Trajko Stamatoski, etj. të cilët në Kërçovë shihnin të ketë vetëm një ose dy toponime shqiptare! (emrin e fshatit Qafë).
- Kapitulli i pestë Për shqipen si gjuhë ballkanike përfshin një gamë të gjerë të studimeve dhe artikujve që rrokin të trajtojnë elemente leksikore e frazeologjike të shqipes në rrafshin krahasimtar edhe me disa gjuhë të tjera ballkanike (maqedonishtes, bullgarishtes, serbishtes, greqishtes, turqishtes), ku vihen re afritë e shumta të këtyre gjuhëve në idiomatikë, si dhe specifikat a të veçantat që ato kanë. Si një njohës i mirë i gjuhëve respektive të Ballkanit, prof. Remziu shprehjet idiomatike ballkanike i heton jo sipërfaqësisht, por ngeshëm, argumentueshëm e me vrojtime të thelluara. Tri punime ç’përfshihen në këtë kapitull: Disa frazeologjizma me elemente turke në gjuhën shqipe dhe maqedonase; Shprehjet frazeologjike me leksemën ujë në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë ballkanike; Disa paralelizma frazeologjikë me foljen bëj në gjuhën shqipe e maqedonishte në përqasje edhe me gjuhët e tjera ballkanike – kanë qenë në dorëshkrim, pra të pa botuara më parë, që me përmbajtjen dhe origjinalitetin e tyre i japin kësaj vepre një vlerë të shtuar.
- Kapitulli Për autorë, vepra, ngjarje përfshin 27 punime dhe vlerësime për gjuhën e Naimit e të Samiut, për kontributin në fushë të gjuhës e të gjuhësisë të Vaso Pashës, Migjenit, Rexhep Vokës, Josif Bagerit, A. Desnickajës, Anton Bellushit (për “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës” ), H. Stërmillit, Murat Isakut, Abdylazis Islamit, shkrime homazh në raste përvjetorësh e in memoriame (për të mëdhenjtë e shqipes A. Xhuvanin, E. Çabejn, I. Ajetin, V. Dançetoviqin), vlerësime e recensione për vepra e fjalorë, shënime për mbajtjen e konferencave shkencore ndërkombëtare, etj. Veprat dhe kontributin e këtyre autorëve e vlerëson me dashamirësi e me kulturë të lartë të shprehjes gjuhësore dhe të etikës njerëzore, ua shquan atyre meritat, pa e tepruar ose pa u mbetur borxh diçka.
VII. Kapitulli Intervista dhe biseda për gjuhën shqipe – sjell disa biseda me interes që prof. Remziu ka dhënë për gazetat “Flaka e vëllazërimit”, “Fjala”, “Rrezja”, “Fakti”, “Shenja”, ku ai, me natyrën e tij të urtë, të butë e njerëzore që kishte, me erudicionin dhe përkushtimin e madh për gjuhën shqipe, ka artikuluar po ashtu mendime me peshë.
Vepra “Për gjuhën shqipe” e prof. Nesimit paraqet një kontribut të madh në fushën e albanologjisë dhe ky botim nuk ka vlerë vetëm për sot, por edhe për të ardhmen.
Këtë paraqitje të shkurtër për veprën e prof. Remzi Nesimit “Për gjuhën shqipe”, do ta mbyllja me fjalët që ai vetë thoshte për prof. Aleksandër Xhuvanin në 100-vjetorin e lindjes – e që i shkojnë shumë profilit të tij:
“Me punën e tij shembullore, krahas krijimtarisë së gjerë shkencore, arsimore e kulturore na la trashëgim edhe përvojën e tij të madhe e të gjatë. Prandaj ai do të ngelë si figurë e pastër patriotike, si autoritet shkencor, kulturor e arsimor, si pedagog e profesor i shquar, si personalitet i nderuar brez pas brezi dhe e gjithë kjo bën që ai të radhitet e të qëndrojë krahas figurave më të shquara të popullit shqiptar.”
Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, për botimin e kësaj vepre duhet të përgëzojmë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup që e vuri këtë në planin e botimeve të veta, si dhe kolegun tonë Zeqirja Ibrahimi si redaktor përgjegjës, i cili ndërmori nismën për grumbullimin e gjithë atyre shkrimeve të shpërndara në revista të ndryshme dhe për sistemimin e tyre në këtë vëllim, që gjithsesi nuk ka qenë një punë e lehtë. Prof. Remzi Nesimit i detyrohemi shumë për punën e vyer që ka bërë për gjuhën shqipe dhe për këtë vepër të tij si një monument me vlerë të madhe gjuhësie. (koha.mk)
(Kumtesë e lexuar në kuadër të Manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit të gjuhës shqipe”, me ç’rast ITSHKSH promovoi edhe librin e sapobotuar: “Remzi Nesimi – Për gjuhën shqipe”)