Dëmtimet e pësuara nuk e kanë lejuar kampionin e Europës, Briken Calja për të marrë më shumë se një vend të shtatë në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Turkmenistan.
Edhe pse bëri një paraqitje për t’u vlerësuar, Calja nuk ia doli të merrte asnjë medalje në shkëputje, shtytje apo edhe në dy garësh.
Në shkëputje, Calja e nisi me 148 kilogram, dhe në provën e parë e ngriti lehtësisht shtangën. Prova e dytë shënoi 153 kilogram, dhe peshëngritësi shqiptar e ngriti me lehtësi, por në momentin që po dilte nga pedana, u pa duke çaluar. Ndërkohë, ai e ngriti në 157 kg peshën në provën e tretë, por pa sukses, duke e mbyllur garën në vendin e gjashtë me 155 kilogram.
Në stilin e shtytjes, provën e parë Calja ngriti shtangën prej 181 kilogramësh, duke ndezur garën. Në provën e dytë, ngriti 4 kilogram më shumë, ndërsa në provën e tretë dhe atë vendimtare, peshëngritësi kuqezi tentoi 189 kilogram, provë në të cilën dështoi për ta kryer me sukses.
Të hënën do të garojnë dhe dy peshëngritësit e tjerë shqiptar, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj, të dy në peshën 81 kg. I fundit që ngjitet në pedanë në botërorin e Ashgabatit në Turkmenistan, është Krenar Shoraj në 6 Nëntor. Në dygarësh, medalja e artë shkoi për kinezin, Shi Zhiyong.