“Isha vetëm 18 vjeçe, kur u martova. Unë i përkisja një familjeje me mendime prapanike ku vajzë e mirë quheshe vetëm atëherë, kur nuk u thoje “Jo” prindërve. Babai im donte që unë të martohesha dhe ajo që unë i thashë, ishte: “Nëse kjo gjë të bën ty të lumtur, unë do të them “Po”. Sigurisht, nuk ishte një martesë e lumtur.
Pas thuajse dy vjetësh nga martesa, ne bëmë një aksident me makinë. Makina ra në një humnerë dhe ai ia doli të dilte nga makina dhe të shpëtonte pa u lënduar. Jam e lumtur për të. Mirëpo unë ndenja në makinë dhe pësova një sërë dëmtimesh. Lista është shumë e gjatë. Pësova fraktura në krahë, në shpatulla, në shtyllën kurrizore, në legen, në këmbë. Por problemi më i madh ishte dëmtimi në shtyllën kurrizore, të cilin ma shkaktuan njerëzit që, me dëshirën për të më shpëtuar, më nxorrën me forcë nga makina duke më shkaktuar dëmtime në palcë.
Ato dy muaj e gjysmë në spital ishin të tmerrshëm. Një ditë, doktori hyri në dhomën time dhe më tha: “Kam dëgjuar që doje të bëheshe piktore, por me keqardhje të them se nuk do të mund të pikturosh dot më”. Ditën tjetër, ai erdhi dhe më tha: “Dëmtimi në shpinën tënde është aq i madh, saqë nuk do të mund të ecësh dot më”. Mora frymë thellë dhe ia ktheva: “Në rregull”.
Një ditë më pas, doktori erdhi sërish dhe më tha: “Për shkak të dëmtimeve të shumta që ke pësuar, nuk do të kesh dot mundësi të lindësh fëmijë”. Atë ditë ndihesha shumë keq shpirtërisht dhe pyesja vazhdimisht veten: “Pse jam akoma gjallë?”.
Një ditë tjetër isha e lodhur në atë spital dhe u thashë vëllezërve të mi: “E di që i kam duart të dëmtuara, por jam lodhur nga boja e bardhë e mureve të këtij spitali dhe nga bluzat e bardha, ndaj më sillni disa ngjyra të pikturoj”. Ishte një ndjesi e mahnitshme të mund të pikturoja sërish dhe të nxirrja në pah ato që ndieja në zemër. Njerëzit vinin dhe adhuronin pikturat e mia. Shpreheshin se u pëlqenin ngjyrat e bukura, por askush nuk arrinte të shihte ato që unë vërtet doja të tregoja me pikturat e mia. Në atë periudhë, unë vendosa se do ta jetoja jetën për veten time. Unë nuk do të isha personi perfekt për dikë tjetër. Unë do ta jetoja momentin dhe do ta bëja perfekt për veten time. Do t’i luftoja frikërat. I shkruajta ato në një fletë dhe vendosa që ta kaloja secilën njëra pas tjetrës.
E dini se cila ishte frika ime më e madhe? Divorci. Por në ditën që e kuptova se ajo nuk ishte gjë tjetër, veçse një frikë si gjithë të tjerat. E lashë atë të lirë dhe u ndjeva edhe vetë e çliruar, madje në ditën që ai do të martohej sërish, i dërgova një mesazh duke i shkruar se isha shumë e lumtur për të dhe se i uroja gjithë të mirat. Ai e di se edhe sot, unë vazhdoj të lutem për të.
Frika e dytë më e madhe ishte se nuk do të bëhesha dot nënë dhe kjo ishte paksa munduese për mua. Mirëpo më vonë kuptova se ka plot fëmijë në botë që gjithçka që duan, është të jenë të pranuar nga të tjerët. I thashë vetes: “Nuk ka kuptim të qash më tepër. Thjesht shko dhe birëso një fëmijë”. Bëra pikërisht këtë gjë.
Lashë emrin tim dhe dokumentat e duhura në shumë jetimore dhe organizata. Prita me durim dhe pas dy vitesh, mora një telefonatë nga një jetimore e vogël në Pakistan. Nga ana tjetër e telefonit dëgjova një pyetje: “A jeni juMuniba Mazari? Kemi një djalë të vogël, a do të donit ta birësonit?”.
“Po, po. Unë do ta birësoj atë. Unë do ta marr atë në shtëpi”, – i thashë plot entuziazëm. Në atë kohë ai ishte vetëm dy ditësh, ndërsa sot është 6 vjeç.
Të jesh në një karrige me rrota është e tmerrshme, sepse mendohet se ne nuk do të pranohemi nga njerëzit. Ne, në botën e njerëzve “perfektë”, jemi joperfektë. Ndaj, unë vendosa të shfaqem më tepër në publik. Nisa të pikturoj. Mora përsipër një sërë fushata modelingu, në të cilat kërkoheshin stiliste. U rendita në 100 njerëzit më me ndikim në botë në vitin 2015 nga BBC dhe jam një nga femrat më me ndikim nga 30 femrat e tjera nën 30 vjeçët, sipas Forbes.
Ndaj, bota të pranon, vetëm kur ti e pranon veten ashtu siç je. Gjithçka fillon nga përbrenda. Ne kemi një fantazi mahnitëse për jetën, se si duhet të funksionojnë gjërat. Ne themi: “Ky është plani im dhe duhet të eci sipas tij”. Nëse diçka na nxjerr nga plani ynë, ne heqim dorë. Unë nuk doja të isha në një karrige me rrota. Nuk e kisha menduar asnjëherë të jetoja në një karrige me rrota. Kjo jetë është një provim dhe provimet nuk supozohet të jenë të thjeshta. Është normale të frikësohesh. Është normale të qash. Çdo gjë është e pranueshme, por të heqësh dorë nuk duhet ta mendosh si mundësi. Të gjithë thonë se dështimi nuk duhet të ekzistojnë si mundësi, por dështimet, sipas meje, duhet të ekzistojnë si mundësi, sepse kur dështon, çohesh. Dështon, çohesh sërish. Ato të mbajnë duke ecur.
Shijoje çdo frymë që merr. Shijoje jetën. Jetoje jetën. Mos vdis përpara vdekjes tënde. Ji mirënjohës. Jeto. Jeto çdo moment. /