Zjarri në katedralen “Notre Dame” të Parisit ka nxitur reagimin e liderëve botërorë.
Së fundmi reagoi edhe kryeministria britanike, Theresa May. Ajo ka thënë se mendimet e saj janë me Francën, pas zjarrit shkatërrimtar.
“Mendimet e mia sonte janë me Francën dhe shërbimet e emergjencës, njerëz të të cilës po luftojnë kundër flakëve të tmerrshme në Katedralen Notre-Dame”, ka shkruar May në “Twitter”. Ndërkaq, Selia e Shenjtë ka njoftuar se zjarri ka shkaktuar “shokim dhe pikëllim” për Vatikanin.
“Po lutemi për zjarrfikësit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Vatikani.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkruar menjëherë në Twitter për këtë incident.
“E tmerrshme të shohësh zjarrin masiv në katedralen Notre Dame në Paris. Ndoshta duhet përdorur ujin nga ajri për ta ndalur. Duhet të veprohet shpejt”, ka shkruar ai.
Gjermania i ka dhënë mbështetjen e saj Francës pas zjarrit të madh që po shkatërron sot katedralen Notre Dam në Paris, simbol i Francës.
“Këto imazhe të tmerrshme të Notre Dam në zjarr të trishtojnë. Notre Dam është një simbol i Francës dhe kulturës tonë evropiane. Ne jemi në mendime me miqtë francezë”, ka shkruar në “Twitter” zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert.