Deri te rrëzimi i Murit të Berlinit në botë ka pasur 16 mure të ngritura me qëllim të mbrojtjes së kufijve. Në vitin 2016 sipas Elizabet Vales, nga Universiteti në Kuebek, ato janë 66, të ndërtuara që të pengojnë emigrantë, por edhe për shkaqe të sigurisë. Mes vitit 2006 dhe 2010 SHBA-ja ka ngritur mbi njëmijë kilometra rrethojë në kufirin me Meksikën, që ta pengojnë migrimin joligjor dhe kontrabandimin e drogës. Rrethoja e quajtur Perdja Tortilla, është “pajisur” me kamera për mbikëqyrje.
Bullgaria ka ngritur rrethojë 30 kilometra drejt kufirit me Turqinë vitin e kaluar, ndërsa në vitin 2012 Greqia ka ngritur rrethojë metali me gjatësi prej 10,3 kilometra pranë lumit Evros në kufirin me Turqinë.
Në Hungari në shtator të vitit 2015 ishte ngritur rrethojë me lartësi prej katër metra në kufirin me Serbinë. Në tetor të vitit të kaluar ishte ngritur rrethojë edhe në kufirin me Kroacinë.
Austria filloi në dhjetor të vitit 2015 ndërtimin e rrethojës të gjatë 3,7 kilometra në kufirin me Slloveninë. Sllovenia vendosi tel me gjemba, si pengesë të gjatë 150 km në kufirin me Kroacinë, e cila ka 670 km.
Në Francë në dhjetor të vitit 2016 kishte përfunduar ndërtimi i murit që të pengohen migriantë joligjor të kalojnë drejt Britanisë së Madhe. Muri është i lartë katër metra dhe i gjatë një kilometër. Është financuar nga Londra me 2,7 milionë euro.
Enklavat spanjolle në Maroko Seuta dhe Melilja janë rrethuar me rrethojë që janë të rënda për kalim. Në vitin 2014, Izraeli përfundoi me ndërtimin e barrierës së gjatë 242 km në kufirin me Egjiptin. Në muajt e fundit, 17 km të murit janë bërë më të gjata – prej pesë deri në tetë metra.
Mes vitit 1993 dhe 2013, India ka ndërtuar në kufirin me Bangladeshin mur të gjatë pothuajse 4.000 km që të pengohet kontrabandimi, migrimi joligjor dhe sulmet e grupeve të armatosura.
Barriera më e vjetër e sigurisë në botë është 2.700 km mur nga rëra që e ndan territorin maroken nga territori nën kontroll të kryengritësve të Polisarios, të cilët luftojnë për kontroll mbi Saharën perëndimore nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar.