Gënjeshtra kurrë nuk është dukur kaq e mirë. Ekziston shqetësimi se globalisht do të rritet lëvizja e cila do ta rrënojë cilësinë e sferës së informacionit dhe cilësinë e diskursit që nevojitet në një demokraci. Këtë e ka deklaruar Eileen Donahoe, anëtare e komisionit Transatlantik për integritet zgjedhor, shkruan sot Koha Ditore.
Ajo tha se deepfakes janë potencialisht gjenerata e ardhshme e dezinformatave. Politikanët në Kaliforni janë aq të shqetësuar nga rreziku i deepfake para zgjedhjeve të vitit 2020, saqë në tetor të vitit 2019 e miratuan ligjin i cili e ndalon shpërndarjen e “mediave audio apo vizuale që janë mashtruese materialisht” brenda 60 ditëve para zgjedhjeve, raporton Wired.
Megjithatë, ndërhyrjet politike përmes deepfakeve ende nuk kanë ndodhur. Shumica e deepfakeve janë përqendruar në industrinë pornografike, pa pëlqimin e njerëzve në videot në fjalë. Kjo nuk do të thotë që nuk ka aplikacione të tjera potencialisht malinje, përfshirë falsifikimin e provave kriminale, mashtrimin ose shantazhimin.
Opsioni i dytë, shpallja e materialit të vërtetë si deepfake paraqet edhe një çështje shqetësuese. Edhe pse ligji i Kalifornisë kundër përdorimit të deepfake i ka disa mangësi, njëra prej tyre e shtron një pyetje të rëndësishme: kush është përgjegjës për dëshmimin se audio ose video xhirimet janë të rreme? Hulumtuesit në të gjithë botën po punojnë për të zhvilluar vegla që do t’i ndihmojnë ata ta arrijnë këtë, me ç’rast një lloj inteligjence artificiale do të luftojë kundër një lloji tjetër të inteligjencës artificiale.
Çështja me deepfake është se ato janë mjaft bindëse për ta mashtruar audiencën njerëzore. Ndërkohë që teknologjia për krijimin e deepfake pobëhet gjithnjë e më e efektshme dhe më e arritshme për njerëzit me qëllime të këqija, krijimi i një teknologjie po aq të fuqishme të zbulimit dhe analizës së deepfake do të bëhet një fushëbetejë kyçe e së vërtetës.
“Deepfaket audio dhe vizuale që punohen mirë janë të vështira për t’u zbuluar”, – tha Ragavan Thurairatnam. Thurairatnam është bashkëthemeluesi dhe drejtues i të mësuarit të makinës për Dessa, start-up kompaninë e cila e ndërtoi veglën për falsifikimin e zërit të Joe Rogan për demonstrimin e aftësive të audio deepfake. Kompania aktualisht është duke punuar në zhvillimin e inteligjencës artificiale për zbulimin e deepfakeve.