Bota me vetura elektrike, ne me dizel dhe benzinë

Çdo veturë në varësi prej mënyrës së ngasjes qoftë me benzinë, dizel, gaz apo hibrid ka përparësitë dhe dobësitë veta, ndërsa ju mbetet vozitësve të zgjedhin se çka ju konvenon më shumë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 9 korrik – Në botë se vjen e më shumë po popullarizohet përdorimi i veturave elektrike dhe hibride, ndërsa në Ballkanin perëndimor dhe në Maqedoni, dominojnë veturat që për ngasje përdorin karburantin e dizelit apo benzinës. Ekspertët thonë se përzgjedhja e karburantit me të cilin do të vozisni veturën e juaj varet nga më shumë shkaqe siç janë, nevojat për transport , lehtësia e vozitjes shprehitë gjatë vozitjes, kostoja e pjesëve rezervë si dhe të hollat që keni në disponim për të blerë një veturë të re apo të vjetër, shkruan gazeta KOHA.

Vlerësohet se me zhvillimin e madh të teknologjive në industrinë automobilistike, ngadalë po bien poshtë pohimet e vjetra se veturat me dizel nuk janë të pastra, janë të ngadalshme dhe më pak harxhojnë, ndërsa nga ana tjetër, edhe veturat me benzinë kanë perfomansa më të mira për vozitje. Sot se vjen e më shumë, po zvogëlohen veçoritë midis motorëve me ngasje dizel dhe benzinë, ato me dizel janë më të pastër dhe punojnë me më pak zhurmë, ndërsa atyre të benzinës ju është zvogëluar konsumi. Megjithatë , dallimet ekzistojnë dhe ato për blerësin dhe pronarin e ardhshëm të veturës qëndrojnë tek çmimi fillestar i veturës, konsumi i karburantit si dhe harxhimet e mirëmbajtjes. Njëherazi gjatë përzgjedhjes së veturës duhet marrë parasysh edhe kushtet nën të cilat realizohet vozitja apo cilësia e rrugës, tollovia në trafik, si dhe fakti se sa kilometra kalohet për një muaj apo për një vit. Njëherazi gjatë krahasimit se cili lloj i automjetit është më i shpagueshëm duhet krahasuar prodhuesit e veturave që kanë më shumë traditë për prodhimin e një lloj modeli, si dhe motorët e gjeneratave të ngjashme apo moshës dhe fuqisë së motorit, sa është motori i komplikuar apo i sofistikuar që direkt ndikon edhe në forcën më të madhe apo konsumin më të vogël si dhe në çmimin, mundësinë e prishjeve eventuale e kështu me radhë. Me fjalë të tjera, çdo veturë në varësi prej mënyrës së ngasjes qoftë me benzinë, dizel, gaz apo hibrid ka përparësitë dhe dobësitë veta, ndërsa ju mbetet vozitësve të zgjedhin se çka ju konvenon më shumë.

Vlerësohet se nëse në vit kaloni me veturë më shumë se 15 mijë kilometra , rekomandohet vetura me ngasje me benzinë, ndërsa nëse vozisni më shumë rekomandohet vetura me ngasje me dizel. Në start, veturat benzinë janë më të lira, më shpejt ju bie çmimi, kanë mirëmbajtje afatgjate më të lirë, konsum më të madh dhe kohëzgjatje më të shkurtër .Nga ana tjetër, dizeli në start është më i shtrenjtë, më shumë mban vlerën , ka mundësi të prishjeve me kosto të lartë , harxhon më pak dhe ka motor më të zhurmshëm. Njëherësh një element tjetër që duhet krahasuar është edhe ndjeshmëria ndaj cilësisë së karburantit , ku shpesh veturat moderne me dizel janë më të ndjeshme ndaj karburantit më të keq. Njëherazi ekspertët rekomandojnë që gjatë blerjes së veturës së re apo të vjetër në varësi prej buxhetit, të merret parasysh edhe nevojat familjare dhe individuale të shfrytëzimit të përditshëm të veturës në qytet apo autostradë, kohëzgjatja e pritshme e veturës, si dhe frekuenca e përdorimit.

Ndryshe, pritet që në Itali, në vitin 2030 një veturë në katër do të jetë elektrike. Edhe pse ka rrezik që për shkak të rikarikimeve, Italia do të jetë në rrezik të rënies së rrjetit që furnizon vendin me rrymë, megjithatë ekspertët thonë se nëse veprohet menjëherë në rrjet, kjo nuk do të ndodhë. Në të vërtetë, kjo do të jetë një përfitim për menaxherët e energjisë dhe për automobilistët. Në Angli, ku, duke filluar nga viti 2040 parashikohet të shiten vetëm vetura elektrike ose hibride. Përtej faktit që kjo nuk nënkupton zhdukjen e motorëve me benzinë dhe as të atyre me naftë (hibridet janë gjithnjë të pajisura me një propulsor termik, përveç atij elektrik) lind pyetja mbi pasojat e përhapjes së gjerë të makinave me bateri, që mund të sjellë në rrjetin e prodhimit, transportit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Megjithatë analizat tregojnë se duke marrë parasysh evolucionin e konsumit të energjisë elektrike parashikuar për të ardhmen, impakti i rikarikimit të makinave elektrike mbi totalin do të ishte 5 për qind (18.7 Twh ndaj 362). Një rritje shumë e administrueshme në nivel kombëtar, pa pasur nevojë të ndërtohen centrale për prodhim energjie, dhe as të përgatiten rrjete të reja për transportin e saj.

Nga ana tjetër, prodhuesi gjerman i veturave luksoze, BMW, i ka përshpejtuar hapat për t’u tërhequr nga prodhimi i motorëve me djegie të brendshme dhe për ta rritur përdorimin e teknologjisë së baterive. Kjo kompani planifikon ta dyfishojë numrin e veturave elektrike dhe hibride që do të shiten gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Zyrtarët e këtij prodhuesi njoftuan në fillim të muajit qershor se 25 modele të veturave me rrymë do të jenë të gatshme për shitje në vitin 2023, ndërsa më shumë se gjysma e veturave do të jenë plotësisht elektrike. Ndryshimi i politikës së kompanisë për të prodhuar më shumë vetura elektrike vjen në kohën kur prodhuesit evropianë po përballen me një sfidë të pashembullt ndaj biznesit të tyre fitimprurës për shkak se disa shtete, përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian dhe Kinën, po planifikojnë ta pakësojnë qarkullimin e veturave që lirojnë gazra të karbonit. (koha.mk)