Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka dënuar ashpër sulmin ndaj muslimanëve në Arakan të Mianmarit, transmeton Anadolu Agency (AA). Ai ka theksuar se bota është e shurdhër dhe memece ndaj zhvillimeve të fundit në Mianmar.
“Për fat të keq, mund të them se bota është e shurdhër dhe memece mbi zhvillimet në Mianmar. As nuk dëgjoni dhe as nuk shihni. Rasti i fundit në Bangladesh është edhe më i dhimbshëm. Sipas të dhënave të fundit, për fat të keq janë vrarë rreth tre mijë njerëz. Ne sigurisht në lidhje me këtë rast ashpër dënojmë sulmet. Ne do të vazhdojë të monitorojmë atë se çfarë po ndodh atje”, tha Erdoğan gjatë një interviste për televizionin turk “TRT”.
Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet në Mianmar, dhe të tërheqë vëmendjen për gjendjen në këtë vend përmes organizatave relevante ndërkombëtare, veçanërisht Kombet e Bashkuara (OKB). Zëdhënësja e Këshillit Evropian për muslimanët Rohingya, Anita Schug deklaroi dje në Gjenevë se në zonën e Arakanit në tre ditët e fundit në sulmet e ushtrisë së Mianmarit janë vrarë në mes dy dhe tre mijë muslimanë. Nga Kombet e Bashkuara (OKB) është kërkuar që urgjentisht të ndalojnë masakrat e muslimanëve në Arakan, të cilat janë shkaktuar nga forcat e armatosura të Mianmarit dhe murgjit budistë. Në shkurt, OKB-ja lëshoi një raport ku thuhej se kanë gjetur foshnja dhe fëmijë të therur me thika gjatë “operacioneve të pastrimit”.
Qeveria e Mianmarit pastaj tha se akuzat në raport ishin “të ekzagjeruara”. Në Mianmar, shumicën e popullsisë e përbëjnë budistët (56 milionë banorë), ndërsa muslimanët përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë (rreth 2.5 milionë). Sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve të Kombeve të Bashkuara, muslimanët Rohingya janë pakica kombëtare më e rrezikuar në botë. Muslimanët Rohingya nuk kanë shtetin e tyre dhe të drejtat e tyre janë shumë të kufizuara. Sipas rendit kushtetues, autoritetet shtetërore njohin vetëm qytetarët që përshtaten në përkufizimin e “vendas”, ndërsa në anën tjetër injorohen pjesëtarët e grupeve të tjera minoritare gjuhësore, etnike dhe fetare. Sipas të dhënave jozyrtare, regjimi diktatorial në Mianmar deri tani ka vrarë mbi 30 mijë muslimanë, ndërsa shumica tashmë një kohë të gjatë jetojnë në kushte të vështira jetese.
THIRRJE MIANMARIT PËR NDËRPRERJEN E DHUNËS NDAJ MUSLIMANËVE ROHINGYA
Kryetari i Organizatës Kombëtare të Rohingya të Arakanit (ARNO), Nurul Islam, ka bërë thirrje për përmbushjen e propozimeve të paraqitura në raportin e përgatitur me ndihmën e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan. Islami foli për zhvillimet e fundit në Mianmar për Anadolu Agency (AA). Ai shtoi se raporti i Komisionit Këshillëdhënës të Arakanit, i formuar me mbështetjen e ministres së Jashtëm të Mianmarit, Aung San Suu Kyi dhe Kofi Annan, është i mirëpritur, por sipas tij ata që nuk pajtohen iniciojnë veprimtari nxitëse.
Islami tha se Komisioni kundërshtohet nga udhëheqësit budistë në Arakan, anëtarët e Partisë Kombëtare të Arakanit (ANP) dhe Aye Maung, i cili ishte pas fushatës kundër muslimanëve të Arakanit (Rohingya) në vitin 2012. “Ligjbërësit e ANP-së dërguan një mocion në Parlament që parashikonte dërgimin e trupave në veri të Arakanit, por ai nuk kaloi. Sugjerimi i cili pretendonte se ishte kundër të ashtuquajturve ‘terroristë islamikë’ dhe për të mbrojtur budistët mbështetje siguroi nga krahu ushtarak. Më vonë, përfaqësuesit e ANP-së të udhëhequr nga dr. Aye Maung dhe gjenerali Ming Aung Hlaing, mbajtën takim më 9 gusht dhe në Maungdaw, në veri të Arakanit, u dha një alarm i rremë sigurie”, tha Islam. Ai shtoi se më 11 gusht, ushtarë të shumtë u dërguan me helikopterë dhe tanke dhe filluan të terrorizonin popullsinë lokale.
Kreu i ARNO-s tha se më 13 gusht, grupet e udhëhequr nga priftërinjtë budistë organizuan demonstrata në 15 qytete në Arakan, duke shtuar se ata kishin akuzuar organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, se ishin në anën e muslimanëve Rohingya dhe u kërkua nga kjo organizatë të largoheshin nga Arakani. “Pas dërgimit të ushtrisë, filluan operacionet kundër muslimanëve Rohingya”, tha Islam, duke shtuar se aktivitetet e tilla ishin veçanërisht të dukshme në qytetin Rathedaung dhe rrethinat e tij. Sipas tij, shumë fshatra të muslimanëve Rohingya u bllokuan dhe u vendosën në shënjestër, dhe për shkak të përdhunimit, torturës dhe arrestimit u krijua një mjedis i jashtëzakonshëm. Ai kujtoi se në disa fshatra pothuajse të gjithë meshkujt u morën, duke i lënë vetëm gratë, të moshuarit dhe fëmijët. Islami tha se ushtria kishte ndërhyrë në shumë fshatra duke kryer vrasje masive.
Ai gjithashtu përmendi edhe raportin e Ananit drejtuar qeverisë së Mianmarit dhe theksoi se propozimet duhet të zbatohen në tërësi. “Qeveria duhet të formojë një komision të pavarur që do të hetojë masakrat ndaj civilëve në Arakan të cilat ende vazhdojnë. Qeveria duhet të lejojë delegacionin e OKB-së për të hetuar krimet ndaj Rohingya-ve”, konsideron kreu i ARNO, Nurul Islam.
MIANMARI NUK E NJEH AS OKB-në
Në ndërhyrjet e kryera nga ushtria e Mianmarit që nga viti i kaluar, 90.000 muslimanë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Përfaqësuesit e minoriteteve Rohingya theksojnë se deri më sot rreth 400 vetë kanë vdekur nga ndërhyrjet ushtarake. OKB-ja ka formuar një komision hetimor për të ndriçuar zhvillimet në këtë zonë, por Qeveria e Mianmarit nuk ka lejuar qasjen e anëtarëve të komisionit. Në raportin e komisionit të udhëhequr nga Anan, bëhet thirrje për pagesën e kompensimit për vendin e konfiskuar dhe që muslimanëve të Arakanit tu jepet statusi i shtetësisë dhe të kenë të gjitha të drejtat dhe liritë që gëzojnë qytetarët e tjerë.
Përveç kësaj, deklarata kërkon që të njihet e drejta e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë në Arakan pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, etnike ose statusi dhe të gjithëve tu mundësohet qasje e barabartë në arsim dhe shërbime shëndetësore. Raporti gjithashtu tregoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bangladeshin fqinj, që është bërë strehë për më shumë se 100,000 refugjatë të Arakanit.