Bota bën para prej bërllokut

9

Në Evropë me dekada ka deponi, por nuk ka mbeturina, për dallim prej pasqyrës së zymtë tek ne ku shpesh edhe në oborret e shkollave, nëpër vende të ndryshme në komunat urbane dhe rurale mund të shikohet një mal me bërllok

Nga Fisnik PASHOLLI

Hungaria planifikon të krijojë një qytet tërësisht të ri me energji të gjelbër dhe të rinovueshme që do të mundësojë hapjen e mijëra vendeve të punës dhe të ndërtohen po aq shtëpi, në një rrip jo pjellor që shtrihet përreth rrjedhës së përmbytjeve të lumit Danub. Projekti i vlefshëm 1 miliardë euro në veriperëndim të Hungarisë, do të ketë madhësinë e përafërt me 500 fusha të futbollit, do të përfshijë edhe shkolla, qendra tregtare. Do të ndërtohen edhe hapësira ku do të kultivohen domate nën serra në vendin ku sot rriten kaçube.

Qyteti do ketë një emetim neutral të dioksid karbonit, apo gati zero ndotje dhe do të mbështetet në energjinë e diellit dhe të bogazit. Andaj do të hapen bile 5000 vende të reja puna në serrat e ardhshme. Me projektin parashikohet krijimi i një biznesi të gjelbër, që mund të shërbejë si model edhe për lokacionet e tjera në Evropë, për transformimin e tokës si për shembull kalimi i rajoneve të pasura me qymyr në rajone me energji të pastër. Pra, projekti parashikon një politikë të qëndrueshme të mirëmbajtjes së ujërave me qëllim të uljes së nivelit të ujërave nëntokësorë.

Krahas rritjes së ofertës hungareze të specave, domateve , lokacioni do të jetë nikoqir edhe i vend peshkimit më të madh evropian, ndërsa në të njëjtën kohë do të mundësohet edhe kultivimi i troftës dhe disa llojeve të tjera të peshkut. Nga ana tjetër, Vjena më shumë se 50 vite i përdor mbeturinat për riciklim dhe ngrohje, dhe ujë të ngrohtë për mbi 300 mijë banesa duke filluar me një seleksionim të saktë dhe të përpiktë të mbeturinave. Në Evropë me dekada me radhë, ka deponi, por nuk ka mbeturina, për dallim prej pasqyrës së zymtë tek ne ku shpesh edhe në oborret e shkollave, nëpër vende të ndryshme në komunat urbane dhe rurale mund të shikohet një mal me bërllok. Ekspertët thonë se nevojiten 20 deri 25 milion euro për ndërtimin e një impianti të energjisë prej 10 megavat që do të shfrytëzojë mbeturinat për prodhimin e energjisë prej 70 gigavat në vit, apo afërsisht pesë herë më shumë se prodhimi i planifikuar prej 15 gigavat orë nga kapacitetet e reja të prodhimit të energjisë nga dielli në Osllomej të Kërçovës që do të plotësojnë nevojat e 2000 amvisërive.

Për dallim prej praktikave tona modeste ku aktualisht vetëm në Trebosh të Tetovës dhe në kombinati Pellagonia në Manastir prodhohet rrymë prej mbetjeve organike të kafshëve, në nivel të shteti akoma nuk prodhojmë energji elektrike dhe të ngrohjes nga mbeturinat e ndryshme. Tek ne akoma kemi problem me riciklimin elementar të mbeturinave, ndërsa në BE, bile gjysma e mbeturinave komunale reciklohen. Sfidë mbetet për shoqërinë dhe shtetin në të ardhmen, modernizimi i deponisë Drislla në Shkup që të prodhojë edhe energji elektrike me zgjidhjen e problemeve të ndryshme juridike dhe administrative por edhe zgjidhja e problemit me 54 deponi komunale që nuk plotësojnë asnjë standard, ndërsa bile një e treta e tyre rrezikojnë edhe shëndetin e qytetarëve. (koha.mk)

Comments are closed.