Shkëlqen Kyrie Irving, fluturon Boston Celtics. 17-herë kampionët e NBA nuk dinë më të ndalen. Atlanta Hawks bëri mjaftueshëm rezistencë por në fund u dorëzua përballë Irving me shokë. Ylli i Celtics koleksionoi në total 35 pikë 7 asist dhe 3 rebound duke udhëhequr formacionin nga Masaccussetsi drejt fitores së 9-të radhazi me Bostonin që mposhti në transfertë 110-107 Atlantën teksa kryeson bindshëm Konferencën e Lindjes. Për Hawks ky fillim sezoni është krejtësisht për tu harruar pasi skuadra nga Georgia pësoi humbjen e 9-t në 11 takime dhe pozicionohet në vendin e fundit në Lindje.
E çoi në 4 numrin e fitoreve rradhazi Golden State Warriors. Kampionët në fuqi të NBA, kaluan pa vështirësi në “Oracle Arena”, Miami Heat me shifrat 97-80. Sfida e zhvilluar në Oakland mori drejtim që në fundin e pjesës së parë kur Warriors kryesonin me 13 pikë avantazh. Më miri mbi parket për skuadrën e trajnerit Steve Kerr rezultoi i përhershmi Kevin Durant, autori 21 pikëve ndërsa i ndihmoi të tijët edhe me 6 asist e 8 rebound. I dha fund krizës Brooklyn Nets. Skuadra nju-jorkeze surprizoi Phoenix Suns brenda në Arizona duke triumfuar me rezultatin 98-92. Kjo ishte fitorja e parë për Brooklyn pas 4 humbjesh rresht ndërkohë që Phoenix Suns pësoi disfatën e 3-t radhazi duke lënë të kuptohet se edhe në këtë sezon do të notojë në ujëra të turbullta. Më i miri për Nets ishte ish lojtari i Lakers, D’Angelo Russell, i cili koleksionoi në total 23 pikë 8 asist dhe 6 rebound, duke udhëhequr Brooklyn-in drejt suksesit të 4-t sezonal.