Takimi në Davos i kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, është një hap para drejt zgjidhjes së kontestit të emrit, deklaroi në konferencën e sotme për media në Qeveri zëdhënësi Mile Boshnjakovski. Ai duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve përkujtoi se kryeministri Zaev disa herë deri tani ka theksuar se është optimist që të dy vendet do të arrijnë të gjejnë zgjidhje për kontestin i cili do të jetë dinjitoz për të dy palët.
“Vetë takimi paraqet një hap para drejtë zgjidhjes. Qeveria tashmë e ka filluar procesin e analizës dhe të koordinimit rreth kornizës më të re të ndërmjetësuesit Methju Nimic. Presim të ndërtojmë konsensus të gjerë kombëtar”, tha zëdhënësi Boshnjakovski. Ai theksoi se Kabineti i ministrit të Punëve të Jashtme Dimitrov është në koordinim me Kabinetin e presidentit Ivanov për organizimin e takimit në korniza të të cilit do të jenë prezent më shumë subjekte politike. Data e takimit për momentin ende nuk është saktësuar, por, thotë, do të ndodhë së shpejti.
“Në parim të gjitha këto elemente që i theksuam vlerësojmë se çojnë drejt orientimit pozitiv dhe se edhe në Athinë edhe në Republikën e Maqedonisë ka vullnet politik kjo çështje të mbyllet”, tha Boshnjakovski dhe paralajmëroi se Qeveria do të dalë me informacion pas takimit. Lidhur me vizitën e ndërmjetësuesit Nimic, tha se gjatë ditës do të bëhet e ditur data kur ai do të realizohet. Ai theksoi se për momentin nuk do të hyjë në aspekte specifike rreth negociatave për shkak të mbrojtjes së negociatave dhe dërgoi apel deri te mediat të vazhdojnë profesionalisht të informojnë për procesin me qëllim, siç tha, të shmangen çfarëdo spekulime të cilat mund ta dëmtojnë.