Shkup, 13 qershor – Non-pejperi nga marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin ndërmjet kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras që u shfaq në opinionin grek, sipas zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë Mile Boshnjakovski, është interpretim dhe nuk korrespondon me nenet origjinale të marrëveshjes.
“Në bazën e marrëveshjes është konfirmuar se si Greqia e interpreton dhe emëron termin Maqedoni. Edhe ata e kanë pranuar këtë si ne që e quajmë dhe interpretojmë termin Maqedoni. Bëhet dallim i qartë ndërmjet asaj se çka nënkupton për ta Maqedonia dhe kjo është e pranueshme për ne dhe se çka nënkupton për ne Maqedonia është e pranueshme për ta”, tha Boshnjakovski.
Përsëriti se ne e ruajmë të drejtën që të emërohemi si maqedonas.
“Marrëveshja parasheh përkthim të emrit Republika e Maqedonisë së Veriut në të gjitha gjuhët. Marrëveshja nuk parasheh transkriptim në alfabetin latin të emrit Republika e Maqedonisë së Veriut. Mes të tjerash edhe kjo qëndronte në këtë dokument, që nuk është e saktë”, tha zëdhënësi i Qeverisë Boshnjakovski.
Me marrëveshjen, pohon ai, ruhet identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase.
Nuk do të ekzistojë fusnotë në KB. Në marrëveshje ekziston një nen, që është fakt shkencor, se gjuha maqedonase bën pjesë në grupin e gjuhëve sllave të jugut”, tha Boshnjakovski.
Simbolet shtetërore, sipas Boshnjakoskit, aspak nuk ishin pjesë e procesit negociues.
“Himni, flamuri dhe stema mbeten të njëjta” tha zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, duke theksuar se më nuk do të komentojnë dokumente jozyrtare.
Në lidhje me riemërimin e institucioneve shtetërore ata, sipas Boshnjakoskit duhet ta ndjekin “frymën” e marrëveshjes.
Vetë marrëveshja do të jetë në etapa dhe implementimi është planifikuar në periudhën e ardhshme pesëvjetore dhe se si hapen kapitujt me BE-në për anëtarësim.
Qytetarët nuk do të kenë shpenzime shtesë për ndryshim të dokumenteve të udhëtimit dhe dokumentet e tjera. Ato, sipas Boshnjakovskit, do të ndryshohen kur të kalojë afati i tyre.
“Ato shpenzime do të jenë shpenzimet e rregullta që do t’i kenë qytetarët gjatë nxjerrjes së dokumenteve të reja të udhëtimit”, tha zëdhënësi i Qeverisë, duke shtuar se për të gjitha shpenzimet e tjera bëhet analizë dhe ekziston mundësi që ato të paketohen në atë mënyrë që qytetarët të mos bartin kurrfarë shpenzime.
Për momentin ende nuk dihet se ku dhe kur do të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Zaevit dhe Ciprasit.