Ministrisë hungareze të Drejtësisë këtyre ditëve do t’i parashtrohet kërkesa me dokumentacionin e plotë për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, deklaroi sot zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski.
Në konferencën për shtyp në Qeveri, Boshnjakovski tha se bëhet fjalë për dokumentacion voluminoz prej rreth 400 faqeve, i cili do të përkthehet në mënyrë adekuate dhe do t’iu parashtrohet autoriteteve kompetente hungareze.
“Ministria e Drejtësisë nga gjykatat kompetente e grumbullon dokumentacionin e plotë në raport me rastin. Ai do të përkthehet dhe do t’iu parashtrohet organeve kompetente hungareze, përkatësisht Minsitrisë së Drejtësisë të Hungarisë. Në dokumentacion, mes tjerash do të ketë edhe arsyetim përse Nikolla Gruevski duhet të ekstradohet në Maqedoni. Bëhet fjalë për dokumentacion voluminoz, rreth 400 faqe, por pa dallim të numrit të faqeve, kërkesa do t’i parashtrohet zyrtarisht Hungarisë gjatë këtyre ditëve”, tha Boshnjakovski.
Paralelisht me këtë, po zbatohen edhe dy procedura në MPB me qëllim që të konstatohet mënyra në të cilën Gruevski ka ikur nga Maqedonia. Sektori i kontrollit të brendshëm zbaton procedurë për involvim të mundshëm të nëpunësve policorë se e kanë ndihmuar, ndërkaq plotësisht Sektori për punë të brendshme Shkup e konfirmon mënyrën e ikjes, si dhe personat e mundshëm të jashtëm të cilët e kanë ndihmuar.
“Pas përfundimit të këtyre dy procedurave, MPB do të dalë në opinion me pasqyrë të plotë se si është organizuar ikja e Gruevskit”, theksoi Boshnjakovski.