Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 janar – Borxhi publik i Maqedonisë deri në vitin 2020 do të arrijë shumën e 6.5 miliardë euro, ose 53.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në fund të muajit shtator, vlera e borxhit publik ishte 4.7 miliardë euro, ose 45.8 për qind e PBB-së, shkruan gazeta KOHA. Me fjalë të tjera, borxhi publik i Maqedonisë deri në vitin 2020, do të rritet për 1.8 miliardë euro .
Borxhet e reja do të shfrytëzohen për kthimin e borxheve të vjetra, ose 800 milion euro do të kthehen ndaj kreditorëve të jashtëm dhe 400 milion euro ndaj atyre vendor. Për mbulimin e deficitit buxhetor në tre vitet e ardhshme parashikohen 862 milionë euro që do të sigurohen nga burime shtesë, krahas huazimeve. Vetëm, sivjet për mbulimin e deficitit do të nevojiten 18.2 miliardë denarë, ndërsa për kthimin e borxheve të vjetra nevojiten 22.7 miliardë denarë, ose afër 41 miliardë denarë . Kjo do të thotë se financimi i borxhit prej afër 670 milionë euro do të sigurohet përmes huazimit jashtë shtetit dhe në tregun vendor të letrave me vlerë. Gjithashtu në kuadër të uljes së shpenzimeve të shtetit dhe konsolidimit fiskal, planifikohet që për çdo vit të zvogëlohet deficiti buxhetor për nga 0.2 për qind për periudhën 2018-2020, ose shtrëngimi gradual i financave publike deri në minusin në buxhet prej 2.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2020.
Në ndërkohë, sipas Strategjisë fiskale 2018-2020, parashikohet që në periudhën e ardhshme të arrihet konsolidimi gradual i financave publike me qëllim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik , kontrollit të borxhit, ruajtjes së konkurrencës së ekonomisë dhe rritjes së punësimit. Pushteti në këtë dokument thekson se do të fokusohet ndaj krijimit të klimës së volitshme për biznes, përkrahjen e ndaj firmave vendore në radhë të parë atyre të vogla dhe të mesme si dhe përkrahjen në përgjithësi të ekonomisë përmes investimeve më të mëdha në infrastrukturë.
“Menaxhimi me sukses me borxhin publik ka një rëndësi të thelbësore dhe nënkupton uljen e rreziqeve gjatë konceptimit të strukturës dhe politikës së menaxhimit me borxhin, me qëllim së shmangies së pamundësisë eventuale të pagesës me kohë të borxhit. Qëllimi kryesor është të sigurohen mjete për financimin e deficitit në buxhet dhe mjeteve për financimin e projekteve pa rritje të pa-arsyeshme të borxhit deri në nivelin që mund të dëmtojë stabilitetin e ekonomisë dhe rritjen ekonomike të shtetit” theksohet më tej në Strategjinë fiskale 2018 -2020.
Në ndërkohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përshëndetur qëllimin qeveritar për uljen graduale të deficitit buxhetor në afër 2 për qind të PBB-së, si dhe ka përkrahur planin qeveritar për përforcimin e menaxhimit me financat publike si dhe rritjes e llogaridhënies fiskale, ose shpjegimin më të hollësishëm se si harxhohen paratë e qytetarëve që edhe mbushin buxhetin me tatimet dhe detyrimet e ndryshme. Në ndërkohë, sipas analizave të ekspertëve , kufiri i qëndrueshmërisë së borxhit publik të Maqedonisë lëviz ndërmjet 51 dhe 59.2 për qind të PBB-së. Vlerësohet se nëse rritja ekonomike është mbi 3 për qind në vit, atëherë ekziston mundësie edhe hyrjes më të madhe në borxh , por vetëm për qëllime produktive si investimi në rrugë, spitale, centrale për prodhimin e rrymës … që do të sjellin rritje më të madhe ekonomike dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve.
Sfidë tjetër lidhur me borxhet për ekonominë e Maqedonisë paraqet edhe kthimi i kredive të mëdha në vitet 2020 dhe 2021 në vlerë prej 925 milionë euro në bazë të këstit të dytë të huazimit nga Banka Botërore në vlerë prej 155 milionë euro prej vitit 2013, Eurobondit në vlerë prej 500 milionë euro të lëshuar në vitin 2013, si dhe Eurobondit në vlerë prej 270 milionë të lëshuar në vitin 2015. Krahas tyre ekzistojnë edhe pagesa më të vogla të borxheve brenda dhe jashtë shtetit.
Në ndërkohë , borxhi publik sipas definicionit paraqet deficitin e akumuluar buxhetor, ose gjendjen kur harxhimet publike të shtetit në nivel lokal dhe qendror , janë më të larta se të ardhurat shtetërore. Gjithashtu sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, shtetet me borxh publik deri në 40 për qind vlerësohen me borxh të ulët, ato me 40 deri 60 për qind të borxhit publik si pjesë e PBB-së si shtete me borxhe të matura, ndërsa shtetet me borxh më të lartë se 60 për qind e PBB-së si shtete me borxhe të larta. (koha.mk)