Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 prill – Numëratori i Uebfaqes që mat borxhin publik të Maqedonisë tregon rritje të vazhdueshme të tij, që ka arritur në 5 miliardë e 11 milionë euro, gjegjësisht 53 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shkruan gazeta KOHA. Me fjalë të tjera, nëse i referohemi këtij treguesi, çdo qytetar i Maqedonisë ka borxh prej 2477 euro. Këto të dhëna nuk përputhen me të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, sipas të cilave borxhi publik nuk ka tejkaluar shifrën prej pesë miliardë. Sipas Uebfaqes së tyre, ku të dhënat e fundit janë për tremujorin e fundit të 2016, gjegjësisht fundin e muajit dhjetor, borxhi publik i Maqedonisë është 4 miliardë e 711 milionë euro. Nga ky dikaster theksojnë se para dy javësh konform metodologjisë të përllogaritjes, të realizuar së bashku me statistikën zyrtare, borxhi prej 51 për qind sa ishte në fund të vitit të kaluar, është ulur në 47.8 për qind të PBB-së. Shtohet më tej se nuk është e saktë se në kohën e fundit e kanë ndryshuar metodologjinë që ka qenë shkak për uljen e lartësisë së borxhit publik dhe shtetëror.
“Ministria e Financave realizoi harmonizimin e të dhënave të saja me ato të Entit të Statistikës, që është procedurë e rregullt për çdo vjet. Ndërsa metodologjia e Ministrisë për shpalljen e borxhit publik është e harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Eurostatin dhe tregohet në Uebfaqen e Ministrisë“, thuhet në demantin e Ministrisë së Financave. Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se problemi kryesor nuk është lartësia e borxhit prej afër pesë miliardë euro apo më shumë se pesë miliardë euro, që është afër 50 për qind të PBB-së. Ato problematizojnë faktin e harxhimit joproduktiv të të hollave publike dhe rritjes së madhe të borxhit që nuk ka sjellë përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.
Sipas ekonomistit, Branimir Jovanoviq, problem i vërtetë me borxhin tonë publik nuk është lartësia e tij, por fakti se ai rritet dukshëm prej 1.5 miliardë euro në 2008-ën në mbi 4.7 miliardë euro në vitin e kaluar. “Problem tjetër është se këto të holla nuk u harxhuan për ndërtimin e spitaleve, hidrocentraleve, shkollave apo fabrikave, por u harxhuan për projekte joproduktive si Shkupi 2014, për rritjen e pensioneve, e kështu me radhë. Shtrohet edhe çështja e kthimit të tyre për shkak se vetëm vitin e kaluar janë kthyer rreth 110 milionë euro për kamata”, thekson për KOHA, Jovanoviq. Sipas tij, në periudhën e ardhshme imponohet konsolidim fiskal përmes uljes së tempit të rritjes së borxhit publik, gjegjësisht uljes së deficitit buxhetor.“ Kjo duhet të realizohet në mënyrë shumë të kujdesshme që të mos shkaktohen dëme për popullatën dhe atë jo përmes shkurtimit të harxhimeve buxhetore, si ulja e pagave apo lëshimit të punëtorëve nga puna, por përmes të rritjes së të ardhurave, duke tatimuar kapitalin dhe jo punën”, thekson Jovanoviq. Në ndërkohë, në Strategjinë fiskale 2017-2019 parashikohet që borxhi publik në vitin 2018 do të arrijë mbi gjashtë miliardë euro dhe 52.4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në tre vitet e ardhshme, planifikohet hyrje në borxh prej 1.7 miliardë euro, ndërsa në tre vitet e ardhshme duhet të kthehen një miliardë euro. Gjithashtu me këtë ritëm të hyrjes në borxh, pritet që borxhi publik në vitin 2019 të arrijë në 56 për qind të PBB-së. Ekonomistët thonë se në periudhën e ardhshme nevojitet shtrëngim i rripit në drejtim të uljes së rreziqeve të ballonit potencial të borxhit publik. Problem shtesë që shkakton huazime të reja janë edhe nevojat e mëdha të shtetit për konsum për shkak të demografisë jo të volitshme, siç është konsumi për sigurim pensional dhe shëndetësor. Kjo, me fjalë të tjera, nënkupton problemin e rritjes së numrit të pensionistëve nga njëra anë dhe uljes së numrit e të punësuarve që e mbushin arkën e shtetit përmes pagesës së tatimeve dhe kontributeve sociale. Ndryshe, Maqedonia vite me radhë ka deficit buxhetor negativ prej disa për qind për shkak se të ardhurat e shtetit janë më të vogla se shpenzimet e tij, andaj edhe bilanci buxhetor është negativ. Me fjalë të tjera shpenzimet publike për një vit kalendarik janë më të larta se të ardhurat publike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara