Borxhi i shqiptarëve për frymë në mesin e këtij viti arriti në rreth 3150 euro. Mbështetur në të dhënat nga Ministria e Financave dhe nga Instat, në harkun e 12 muajve borxhi për frymë, i llogaritur në monedhën europiane, është rritur me 6%. Llogaritur në lekë, rritja është ndjeshëm më e ulët, me rreth 3%, për shkak të mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit me valutën europiane.
Megjithëse në terma realë borxhit publik është në një trajektore rënëse, borxhi nominal për frymë ka vazhduar të rritet. Kjo ka ndodhur paralelisht për shkak të shtimit të stokut të borxhit, por edhe të rënies së numrit të popullsisë. Sipas Instat, gjatë vitit 2018 popullsia e Shqipërisë u pakësua me rreth 8 mijë banorë. Tkurrja e popullsisë ka ardhur si pasojë e zgjerimit të migracionit neto, por edhe për shkak reduktimit të shtesës natyrore.
Në 30 qershor, borxhi publik i Shqipërisë ishte rreth 1.1 trilionë lekë ose rreth 9 miliardë euro. Në terma realë, Ministria e Financave e vlerëson borxhin publik i Shqipërisë sa 63% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në rënie me afro dy pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, kjo është një shifër e destinuar të rritet më tej gjatë viti, me zgjerimin e pritshëm të stokut të borxhit. Zakonisht, pjesa më e madhe e deficitit shpenzohet në pjesën e dytë të vitit dhe sidomos në tremujorin e fundit. Kjo reflektohet më tej edhe në ecurinë e treguesve të borxhit. Mbështetur në projeksionet e buxhetit 2019, borxhi publik pritet të jetë rreth 64.9% në fund të vitit./SCAN