Shkup, 1 nëntor –
Grupet e punës po përgatisin projektin me reformat të cilat do të implementohen në fushën e medias, informon zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski. Ai pranon se borxhi aktual i Servisit Publik vështirëson reformat dhe qeveria është e vetëdijshme për situatën. Por, ende nuk është biseduar në lidhje me këtë çështje për të cilën Qeveria do të mbajë një seancë të veçantë, thotë Boshnjakovski. “Jemi të vetëdijshëm për situatën. Reformat në sferën e mediave do të zhvillohen në pajtueshmëri me rekomandimet e Pribesë. Vetë borxhi është diçka që më shumë vështirëson punën, por për momentin nuk kemi biseduar rreth borxhit të RTVM-së. Në mënyrë shtesë do të bisedohet për atë. Të gjitha grupet e punës po punojnë, reformat në media ende janë në fazën e përgatitjes. Pritet të përfundojnë deri në fund të vitit”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, në brifing për gazetarët. Qeveria ka hequr që nga shtatori pagesën e taksës radio-difuzive dhe ka mundësuar financimin e Servisit Publik nga Buxheti shtetëror, në lartësinë prej 0.5%, shumë kjo e cila duhet të mbulojë edhe nevojat e Radiodifuzionit të Maqedonisë dhe Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele. Pra RTM, nga kjo shumë, merr vetëm 75% të mjeteve, shumë më pak sesa që grumbullonte deri tani nga taksa radiodifuzive. Qeveria ka premtuar se me buxhetin për vitin e ardhshëm, kjo shumë do të rritet. Ende nuk dihet se sa, por pritet që e njëjta të arrijë në 0.75% të buxhetit. RTM kërkon që shuma të arrijë në 1%, kërkesë kjo që është mbështetur tashmë edhe nga ShGM. Nga Shoqata e Gazetarëve, ndërkohë, i bën thirrje qeverisë që në afat sa më të shkurtër kohor të sigurojë mjete për shlyerjen e borxhit aktual, gjithsesi duke kërkuar edhe përgjegjësi përse është lejuar që borxhi të arrijë lartësinë e tillë.(tvm2)