Urim HASIPI
Tetovë, 20 shkurt – Shumë komuna në Maqedoni janë në pritje të huamarrjes së Qeverisë për të shlyer borxhet ndaj kompanive. Disa nga komunat funksionojnë edhe me xhirollogari të bllokuara, ndërsa disa kanë arritur marrëveshje me kompanitë që borxhin ta shlyejnë me këste, shkruan gazeta KOHA. Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, thotë se borxhi është mbi 2.5 milionë euro.
“Komuna e Vrapçishtit ka një borxh prej 2.7 milionë euro. Në ndërkohë, ka edhe një projekt që ka mbetur pezull dhe nëse ai projekt do të realizohet, atëherë borxhi do të jetë 3.3 milionë euro. Realisht është një borxh i madh, kurse të hyrat e komunës janë të vogla në krahasim me borxhin që e kemi trashëguar. Tani jemi në bisedime me kompanitë që u kemi borxh dhe shpresojmë se do të arrijmë marrëveshje që këtë t’ua kthejmë me këste”, deklaroi kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani. Shpresat janë që këtë borxh komunat ta paguajnë përmes një kredie të Bankës Botërore në një periudhë prej 20 vitesh.
“Kemi edhe një premtim që bëhet përmes Bankës Botërore, ku kemi biseduar edhe me kryeministrin. Ka një kredi prej 250 milionë euro dhe kjo kredi dedikohet për komunat që kanë borxhe me mundësi për kthim për 20 vitet e ardhshme. Është premtuar personalisht nga kryeministri, ka një pilot-projekt në Komunën qendër dhe në Komunën e Çairit dhe do të shohim se si do të realizohet”, tha Shabani. Ai njoftoi se në 100 ditët e para si kryetar i Vrapçishtit, ka arritur që të mbyllë deponinë e egër në Negotinë. “Deponia në fshatin Negotinë ka qenë një problem që ka tanguar banorët për 16 vite me radhë. Kjo deponi është mbyllur sepse për pak sa nuk ka eskaluar në një katastrofë ekologjike e kancerogjene për gjithë banorët e Vrapçishtit dhe fshatrave për rreth. Ne kemi bërë zgjidhjen, por është një zgjidhje e përkohshme, e cila është problem edhe në instancë më të lartë qeveritare. Tani për momentin të shohim se si më tutje, pasi është një problem edhe regjional. Pritet që në këtë vend të ketë më shumë gjelbërim në të ardhmen”, tha Shabani. Krahas kësaj, kryetari i Vrapçishtit informoi se është pastruar edhe një kanal për ujitje në fshatin Gradec.
“Gjatë kësaj periudhe përfunduam me sukses punimet për hapjen e kanalit për vaditjen e tokës në fshatin Gradec. Për 15 vjet, ky kanal ka qenë inekzistent, duke sjellë vështirësi të mëdha për banorët e zonës. Hapja e kanalit vaditës u realizua në kuadër të Komunës së Vrapçishtit dhe do të sjellë përmirësimin e ujitjes së tokës bujqësore të fshatit Gradec. Punimet do vazhdojnë në çdo fshat, sepse nëse do të rregullohet komplet sistemi për vaditje, sjell shumë lehtësime për bujqësinë. Ka me qindra hektarë që do të vaditen pa probleme”, deklaroi Shabani.
Në këtë drejtim, ai përmendi se janë pastruar shumë deponi të egra në Komunën e Vrapçishtit, duke përmendur deponinë përgjatë rrugës Senakos dhe fshatin Gjurgjevisht. Ai nënvizoi se në të ardhmen mbeten të përkushtuar për të rregulluar ujësjellësit nëpër disa fshatra, kanalizim atmosferik dhe ,fekal si dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale në këtë komunë. (koha.mk)