Drejtori sportiv Mihael Zork ka rrëfyer, pa dashje, rinovimin e fshehtë të kontratës së Pierr-Emerik Aubamejang. Zork foli më shumë se sa duhej në emisionin sportiv “Wontorra – der Fussball-Talk” i Sky Sport News HD. Drejtori i Borussia Dortmund ka folur për një kontratë e cila do të zgjasë deri në 30 qershor të 2021 për lojtarin nga Gaboni. Sipas informacioneve të “Bild”, BVB ka rinovuar një vit më parë me sulmuesin afrikan, i cili gjithashtu nuk i ka rrëfyer asnjërit firmën e kontratës së re. Po pse? E paqartë! Së fundmi sulmuesi ka rinovuar në korrik të 2015 një kontratë deri në qershor të 2020. Në të shkuarën Aubamejang është përfolur shpeshherë për një transferim të mundshëm jashtë Gjermanisë. Dhe një largim në dimër nuk përjashtohet. Edhe për këtë çështje foli Zork. “Shpresojmë që ai të qëndrojë, pasi ka një kontratë afatgjatë me ne. Do të vijë dita që ai do të largohet nga Dortmundi, por për ne është një lojtar shumë i rëndësishëm, dhe ne po planifikojmë të ardhmen me të”, deklaroi Zork.