Tiranë, 30 shtator – Që në muajin prill, qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend, një projektligj për pakicat e huaja në Republikën e Shqipërisë, shkruan gazeta KOHA. Duket se futja së shpejti në votim e këtij projektligji, ka bërë që kryeministri i Bullgarisë të telefonojë urgjentisht kryeministrin Edi Rama, në datën 17 Shtator. Prej kohësh nëpërmjet eurodeputetëve të saj, edhe Bullgaria kërkon status të veçantë për të ashtuquajturat “pakica” të saj, që sipas tyre, jetojnë në Shqipëri. Duket se qeveria bullgare e ka marrë shumë seriozisht këtë çështje, pasi mësohet se vetë kryeministri i këtij vendi i ka telefonuar Edi Ramës dhe i ka kërkuar rishikim të ligjit për pakicat, i cili pritet të miratohet së shpejti. Zyra e Shtypit e Qeversë së Bullgarisë, të cilës i referohet Radio Bullgaria, ka bërë të ditur se në një bisedë telefonike me homologun e tij shqiptar, Edi Rama. Kryeministri bullgar Bojko Borisov insistoi për garantimin e të drejtave të minoritetit bullgar në Shqipëri, në përputhje me normat ndërkombëtare të së drejtës ndërkombëtare. Vlen të theksohet se pakicë bullgare në Shqipëri nuk ka, por se bëhet fjalë për maqedonasit e Pustecit dhe Gollobërdos që viteve të fundit kanë marrë pasaporta bullgare dhe arrijnë disa mijëra. “Lufta” diplomatike midis Maqedonisë dhe Bullgarisë për banorët e Pustecit dhe Gollobërdos ka filluar që moti, duke ofruar edhe Maqedonia dhe Bullgaria shtetësi për këta banorë e që më pas, ti bëhet presion Shqipërisë lidhur me të drejtat e pakicave! (koha.mk)