Boris Johnson i kërkon Britanisë së Madhe t’i ofrojë Ukrainës “të gjithë aeroplanët dhe tanket e saj”
Boris Johnson i kërkoi Mbretërisë së Bashkuar që t’i ofrojë Ukrainës të gjithë aeroplanët luftarakë dhe tanket e saj sot pasi Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim emocional para deputetëve dhe kolegëve në Westminster Hall.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, ish-kryeministri tha se ‘përdorimi më i mirë’ për 100 aeroplanët Typhoon të Mbretërisë së Bashkuar dhe rezervat e ngjashme të tankeve Challenger do të ishte në betejën kundër agresionit rus.
Por ndërsa “Numri 10” tashmë është zotuar të dërgojë disa tanke, këtë nuk e ka bërë me aeroplanët, duke paralajmëruar se trajnimi i pilotëve mund të marrë vite.
Thirrja erdhi pasi presidentit ukrainas iu bë një pritje e veçantë në Pallatin e Westminster në vizitën e tij të parë në Britani që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë.
Me Rishi Sunak dhe me Johnson në audiencë, Zelensky këmbënguli se do të nevojitet më shumë ndihmë për të mposhtur agresorët rusë.
Ai i dhuroi kryeparlamentarit Lindsay Hoyle një përkrenare të nënshkruar nga një prej pilotëve më të mirë të Kievit dhe i bëri thirrje Britanisë së Madhe të furnizojë Ukrainën me aeroplanë ‘të fuqishëm’ – pasi zoti Sunak njoftoi se Britania do të trajnojë forcat se si t’i përdori ato.