Bruksel, 29 shtator – Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Zhosep Borrell u ka bërë thirrje mediave dhe shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor që të angazhohen në luftën kundër dezinformimit, e cila është një sfidë globale dhe kërcënim për demokracinë.
“Qytetarëve duhet t’u ofrohen të vërteta, të sakta dhe me kohë. Është e nevojshme të punohet për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore, siç është liria e shprehjes dhe pluralizmi i mediave” tha Borrell në hapjen e Konferencës së parë për edukimin mediatik të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Ai e theksoi rëndësinë e edukimit mediatik, përforcimin e shoqërisë civile dhe lirinë e medias, por edhe vlerësoi se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Borrell theksoi se dezinformimi është veçanërisht i rrezikshëm gjatë një pandemie dhe lavdëroi të gjithë individët dhe organizatat në Ballkanin Perëndimor të cilët kanë punuar për demaskimin e lajmeve të rreme, për të zbuluar trendet e keqinformimit dhe për të informuar qytetarët.