Shefi i diplomacisë së BE-së konfirmoi se nëse Suedia ose Finlanda do të jenë subjekt i agresionit ushtarak nga Rusia para anëtarësimit në NATO, BE-ja ka dispozitë të ngjashme si neni 5 në NATO, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Kështu deklaroi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borell, pas pyetjeve të gazetarëve për nenin 42.7 të Kartës së BE-së. Ky nen, i ngjashëm me nenin 5 të Kartës së Aleancës së Atlantikut të Veriut, i detyron vendet anëtare të BE-së të ndihmojnë një vend që është objektiv i sulmit.
“Është shkruar qartë se nëse një vend anëtar sulmohet në territorin e tij, nëse ka një agresion ushtarak kundër një vendi anëtar të BE-së, ai vend mund t’u kërkojë të tjerëve ta ndihmojnë dhe të tjerët janë të detyruar ta bëjnë këtë, me të gjitha mjetet, as më shumë, as më pak, por vendi duhet ta kërkojë atë, nëse e kërkon, ka një detyrim në Kartë, të shpresojmë se nuk do të ndodhë kurrë,” tha Borell në konferencën për shtyp sot pas këshillit të mbrojtjes në Bruksel.
Vendet anëtare diskutuan gjithashtu edhe rritjen e buxheteve për mbrojtje.
Ai vlerësoi se në BE ka gatishmëri që të ndahet më shumë për mbrojtjen në BE, por theksoi se kjo duhet bërë në mënyrë të mirë dhe efikase të përbashkët. Bashkimi Evropian është në procesin e çarmatimit dhe reduktimit të shpenzimeve ushtarake që nga viti 2008, por tani, tha Borell, ne jemi në një situatë tjetër pas luftës në Ukrainë dhe BE-ja duhet të “përballet me pasojat” dhe të ndalojë trendin e çarmatimit.
Në të njëjtën kohë, vendet e BE-së do të rrisin ndihmën ushtarake për Ukrainën me 500 milionë euro të tjera, duke e çuar shumën totale të Fondit Evropian të Paqes në Ukrainë në dy miliardë euro, tha shefi i diplomacisë evropiane. Paralelisht, vendet anëtare do të vazhdojnë të dërgojnë armë në Ukrainë.
Në rendin e ditës së takimit të sotëm ka qenë edhe situata në Mali. Ministrat ranë dakord që nuk do të stërvitnin më forcat ushtarake në këtë vend, por nuk do të tërheqin misionin.
“Ne kemi vendosur të konfirmojmë vendimin kalimtar për të pezulluar trajnimin operativ të forcave ushtarake të Malit në Gardën Kombëtare dhe për të pezulluar shpërndarjen e pajisjeve ushtarake nën Fondin Evropian të Paqes, i cili ishte në vazhdim, kjo nuk do të thotë se ne po largohemi nga Sahel, ne duam të bëjmë më shumë dhe më mirë dhe për këtë do të ridrejtojmë burimet në vendet fqinje, do të reduktojmë praninë në Mali, nuk do të ketë më trajnime ushtarake, tha Borell.
Një rishikim strategjik i misionit të Malit do t’u dorëzohet vendeve anëtare javën e ardhshme, por ai nuk do të anulohet, pasi një vendim i tillë do të kërkonte unanimitetin e të 27 vendeve anëtare, gjë që është shumë e vështirë për t’u arritur.