Shkup, 30 janar – Komunikacioni në të gjitha rrugët e vendit po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë të lagështa. Reshje bore me intensitet të dobët ka në Manastir, Resnjë dhe në kalimet malore Bukovë dhe Gjavato, informojnë mëngjesin e sotëm nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë. Komunikacioni në drejtimin rrugor A3 Prilep – Manastir – Resnjë përmes Rreth rrotullimit Manastir është ndërprerë për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe komunikacioni po rikahëzohet përmes qytetit të Manastirit. Në vend është vendosur sinjalizim adekuat i komunikacionit. LAMM rekomandon vozitje të kujdesshme, shpejtësi të adaptuar të lëvizjes dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. Në grykat malore është e mundur paraqitja e shembjeve të vogla, veçanërisht në akset rrugore: Koçan – Makedonska Kamenicë – Dellçevë, Vinicë-Berovë, Gostivar-Strazhë, Mavrovë-Dibër-Strugë, D.Kapi-Udovë, Katllanovë-Veles, Krushevë-Demir Hisar dhe Resnje -Bukovë. Intensiteti i komunikacionit në drejtimet rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.