Banorët e këtyre fshatrave përmes rrjeteve sociale janë shprehur të pakënaqur dhe të irrituar me këtë gjendje, duke nënvizuar se edhe në brendi të fshatrave nuk mund të lëvizin. Madje, deri tek ambulancat për të marrë shërbime shëndetësore nuk mund të shkojnë
Urim HASIPI
Tetovë, 10 janar – Banorët e fshatrave të Malësisë së Tetovës – Shipkovicë, Brodec, Veshallë, Bozovcë, Vicë, Gjermë, janë ankuar se reshjet e borës dhe mospastrimi në kohë i rrugëve kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të tyre në drejtim të qytetit të Tetovës. Rrugën e këtyre fshatrave kanë mundur ta kalojnë vetëm automjetet me zinxhirë, ngase trashësia e borës ka arritur pothuajse deri në një metër, shkruan gazeta KOHA.
Banorët e këtyre fshatrave përmes rrjeteve sociale janë shprehur të pakënaqur dhe të irrituar me këtë gjendje, duke nënvizuar se edhe në brendi të fshatrave nuk mund të lëvizin. Madje, deri tek ambulancat për të marrë shërbime shëndetësore nuk mund të shkojnë. Po ashtu, ankesa kanë patur edhe banorët e fshatit Gjermë, të cilët janë ankuar se rruga gjatë të mërkurës mbrëma ka qenë e pakalueshme për në fshat. Problem është paraqitur edhe në lagjet periferike të qytetit të Tetovës, respektivisht në Lagjen tek Tregu i Kafshëve, ku banorët janë ankuar se rruga kryesore është e papastruar. Gjendjen e vështirësuar në pjesën e Malësisë së Tetovës e kanë konfirmuar edhe nga Komuna e Tetovës, prej nga thonë se janë marrë masa dhe janë dërguar ekipe shtesë për pastrimin e rrugëve.
“Nga ora 5 e mëngjesit, ekipet tona punojnë intensivisht. Është hasur probleme në fshatrat e thella të Malësisë së Sharrit, në Vicë, Gjermë, Bozovcë…, pasi bëhet fjalë për kushte shumë të vështira atmosferike dhe për temperatura ekstreme, ndërsa trashësia e borës ka arritur deri në 90 cm. Në ora 9:00, nga Shtabi i menaxhimit është dhënë instruksione që të dërgohen ekipe përforcimi dhe makineri shtesë me qellim që rrugët e Malësisë të jenë të kalueshme dhe të depërtueshme”, thonë për KOHA nga Komuna e Tetovës.
Gjendje e këtillë është pothuajse edhe në rrugët regjionale në komunat përreth, ku komunikacioni në pjesët e ulëta zhvillohet me pengesa më të vogla, por në viset malore, respektivisht në fshatrat e Dërvenit dhe rrethinës së Gostivarit, preferohet që vozitësit të shfrytëzojnë zinxhir për veturat e tyre. Në ndërkohë, rrugët dytësore në qytetin e Tetovës si gjithmonë janë më pak të pastruara dhe haset në më shumë vështirësi. Kryesisht rrugët prioritare janë bulevardet kryesore të qytetit, ndërsa rrugët dytësore janë më problematike.
Kësisoj, në një pjesë të këtyre rrugëve hasen edhe shumë automjete të parkuara, të cilët përbëjnë problem shtesë për makinerinë e pastrimit që të depërtojë. Qytetarët janë shprehur të pakënaqur me angazhimin e autoriteteve komunale dhe atyre qendrore për mirëmbajtjen e rrugëve në Tetovë dhe rrethinë. “Me pastrimin e rrugëve nuk jam aspak i kënaqur. Kështu është këtu, dy ditë borë dhe menjëherë situata del nga kontrolli. Nuk janë në gjendje që të mirëmbajnë këto pak rrugë që i kemi”, thotë një banor në lagjen Lenin, ku vështirë është të depërtojë makineria e pastrimit. Por krahas mos pastrimit të rrugëve si në brendi po ashtu edhe jashtë qytetit, pronarët e lokaleve të cilët e kanë obligim të pastrojnë borën para dyqaneve të tyre, kanë kryer detyrën e tyre. Ndërkaq me apel ka dalë edhe Policia e Tetovës e cila thekson se gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Tetovës po merren masa të përforcuara për largimin e veturave të parkuara në mënyrë jo të rregullt, të cilat jo vetëm që pengojnë qarkullimin e lirshëm dhe të sigurt të pjesëmarrësve tjerë në trafik, por edhe në masë të madhe e pengojnë pastrimin e borës nëpër rrugë dhe trotuare.
Sipas policisë, brenda dy ditëve janë sanksionuar dhe nga ana e shërbimit të merimangës janë ngritur gjithsej 30 vetura, të cilat kanë qenë të parkuara gabim ose në mënyrë jo të rregullt, kryesisht në pjesën qendrore të Tetovës. Përderisa rrugët dytësore janë më pak të pastruara, në rrugët kryesore lëvizja e automjeteve zhvillohet me vështirësi.
Në repartin e Ortopedisë në Tetovë kanë bërë të ditur se brenda 3 ditëve, për 30 për qind është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë si pasojë e rrëshqitjes në oborret para shtëpive ose në trotuaret e qytetit. Prej atje thonë se pacientë kryesisht janë pleq dhe fëmijë. Veç kësaj, Në 36 orët e fundit në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit gjithsej janë regjistruar 4 aksidente trafiku, por pa pasoja më të mëdha. (koha.mk)