Shkup, 4 janar-Banorët e fshatit Cërni Vërv, Komuna e Studeniçanit, rrethinë e Shkupit, për 24 orë të plota janë të bllokuar nga reshjet e mëdha të borës. Duke alarmuar për gjendjen e rëndë Sabedin Baftijari, nga ky fshat, thotë lartësia e borës ka arritur deri në 120 centimetra, raporton Koha.
“Ju lutemi na ndihmoni. Jemi të bllokuar. Fatmirësisht kemi rrymë. Mirëpo rrugët janë të pa kaluara. Autoritet e Komunës së Studeniçanit i kemi njoftuar dhe jemi duke i pritur të vijnë në ndihmë, por ja që deri më tani ende s’ka asnjë lëvizje”, thotë Bajtijari.
Ndryshe, reshjet e fundit të borës në Maqedoni, kryesisht në viset malor kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e shumë qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Studenicanit, Azem Sadiku, për gazetën Koha, shprehet se është i njoftuar me situatë dhe se shërbimet e komunës i kanë ndërmarrë të gjitha masat për pastrimin e borës në fshatin Cërni Vër dhe fshatrat tjera. “Ne jemi duke punuar në pastrimin e borës. Gjatë mbrëmjes së kaluar kemi dërguar disa automjete përkatëse, mirëpo të njëjta ishin të vogla dhe sot është nisur makineri më e madhe për pastrimin e rrugës. Besoj se deri në fund të ditës e gjithë rruga drejtë Cërni Vërit do të jetë e pastër”, tha Sadiku. (koha.mk)