Shkup, 6 dhjetor – Qeveria nuk ka pasur dijeni për bonuset që anëtarët e KShZ-së miratuan për vete në dy ciklet e fundit zgjedhor. Zëdhënësi Boshnjakovski thotë se çdo institucion që financohet nga buxheti, vetë menaxhon me financat, d.m.th. edhe KShZ është trup i pavarur, mbi të cilin qeveria nuk ka ingerenca.
Por, sipas tij, po punohet për shkurtimin e shpenzimeve joproduktive si dhe po kërkohet një mënyrë për përllogaritjen më adekuate të pagesës së punës jashtë orarit të punonjësve të angazhuar në institucionet shtetërore.
“KShZ është trup i pavarur dhe sigurisht që secili shfrytëzues buxhetor vetë i menaxhon e shpërndan paratë në buxhetin e institucionit. Por, edhe një herë potencoj, se as Ministria e Financave, as Qeveria e RM-së nuk kanë pasur kurrfarë informacioni lidhur me bonuset të cilat janë paguar. Qeveria tashmë shumë herë është prononcuar se nevojitet shkurtim në tërësi të të gjitha shpenzimeve të padedikuara të parave, shpenzimeve joproduktive dhe parandalim që në të ardhmen të mos ndodhin punë të këtilla. Tashmë ka një iniciativë që është diskutuar në Qeveri dhe obligohen të gjitha ministritë të tregojnë se si i përllogarisin pagesat e angazhimeve të punonjësve të tyre për punën jashtë orarit, që në fund të dalim me një rregullore, ose të ngjashme, që në suaza të Qeverisë dhe ministrive në të ardhmen të parandalohen shpenzimet e panevojshme të këtij lloji. Por, KShZ është trup i pavarur dhe Qeveria atje nuk ka ingerenca”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.