Bonuçi largohet nga Milani, shkon në Angli?

Para një viti nga Anglia vërshuan ofertat për Leonardo Bonuçin dhe Juventusi nuk ishte kundër, realisht, por qendërmbrojtësi tha “jo”. Dëshironte të qëndronte në Itali, së pari për familjen e vet, pasi djali i tij është i sëmurë dhe nuk e përballon dot klimën angleze, përveç ambientimit dhe gjuhës. Pak muaj më vonë, edhe pse kishte rinovuar me Juven, Bonuçi zgjodhi Milanin dhe habiti të gjithë, duke u veshur kuqezi, për një shifër aspak stratosferike, sepse nga Anglia ofronin mbi 60 milionë euro, ndërsa Milani pagoi rreth 40. Aventura kuqezi ka qenë një dështim deri tani dhe Bonuçi e ka kuptuar se nuk i mjafton koha për të postuar ekuilibrat nga Torino në Milano.

“Djalli” është tepër i dobët në këtë moment, edhe financiarisht, me UEFA-n që e ka paralajmëruar për bllokim merkatoje dhe gjoba. Zgjidhja? Mund të shitet Bonuçi dhe në Angli e presin krahëhapur. Pep Guardiola e deklaroi hapur ditët e fundit se kërkon një mbrojtës cilësor e ekspert, të aftë të luajë në qendër dhe të ndërtojë lojën. Milani tashmë duhet të vendosë: a do ta sakrifikojë njeriun e vet simbol, ai që ishte goditja më e madhe e verës dhe i vetmi lojtar klasi në skuadër, pavarësisht se nuk ka shkëlqyer deri tani? Vështirë, por nëse vjen një ofertë 60 milionë euro e lart, te Milani zor se do të thonë jo, natyrisht duke e marrë të mirëqenë faktin se Bonuçi do të pranonte kalimin në Angli, gjë që nuk e bëri para një viti.