Leonardo Bonucci është rrëfyer me zemër të hapur në një intervistë të dhënë për “La Repubblica”, ku është kthyer të flasë për sëmundjen e të birit Matteo dhe ka zbuluar se: “Kam menduar të tërhiqem”. Tani djali është shëruar dhe mbrojtësi i Juventus-it dhe kombëtares së Italisë është i qetë, më në fund: “I themi gjatë gjithë kohës ‘je kampioni ynë’ dhe unë i lexoj përrallat”. Ndërkohë, nuk ka asnjë peng për humbjen në Superkupën e Italisë kundër Milan-it ku ka munguar për shkak dëmtimi (do të kthehet në mesin e janarit). Leonardo Bonucci është shumë i gëzuar dhe mirënjohës për një dhuratë të veçantë që i ka ardhur në këto ditë feste: shërimi i të voglit Matteo.
https://www.youtube.com/watch?v=MZQAfA7H_dg
“Është fundi i frikës që ka zgjatur që nga korriku dhe deri para pak ditësh. Tani Matteo-s i përsërisim shpesh: je ti kampioni ynë, ke fituar ndeshjen më të vështirë”, ka thënë Bonucci, duk kujtuar muajt e fundit të ankthit për gjendjen shëndetësore të djalit të vogël. “Gjatë verës Matteo-s i është hequr një hernie rrëzë kofshës. Një procedurë e zakonshme, por kemi pasur ndjesinë se Matteo kishte ndryshuar pas ndërhyrjes, – ka kujtuar mbrojtësi juventin. – Në fillim kemi menduar se arsyeja ishte një efekt i vonuar i anestezisë, por më pas disa sjellje të tij na kanë shqetësuar. Jemi frikësuar. Jemi kthyer menjëherë nga pushimet në Torino dhe kemi shkuar në spitalin pediatrik ‘Regina Margherita’ ku na ka pritur një doktoreshë e mrekullueshme, e cila nuk ka humbur kohë. Analizat kanë zbuluar një patologji akute. Ishte e nevojshme të ndërhyhej sa më shpejt”.
https://www.youtube.com/watch?v=WD35VRto-Og
“Një ditë më pas Matteo është futur në sallën e operacionit në orën 8 të mëngjesit dhe ka dalë prej aty në katër të drekës. Ndërsa po futej në sallën e operacionit ka bërë britmën e luanit, si të donte të na jepte zemër ne më shumë se vetes, – ka treguar Bonucci. – Më pas kam marrë lodrën e tij, një ari i vogël i bardhë, jam ulur në një cep të dhomës dhe kam bërë një bisedë të shkurtër me Zotin: të bëhet vullneti yt, i kam thënë, por mos harro se është vetëm një fëmijë”. Leonardo ka përfituar nga rasti për të falënderuar të gjitha ata që e kanë mbështetur në ato momente delikate: “Kam dalë nga spitali dhe kam gjetur tridhjetë persona që më prisnin, familjarë dhe miq. Disa kishin marrë leje nga puna, të tjerë e kishin mbullur dyqanin. Për ata, për shokët e mi të skuadrës, për tifozët, jo vetëm të Juventus-it, që na kanë qëndruar afër në këto muaj kam qarë në tv. Ka qenë emocioni i një faleminderit. Matteo është kthyer në shtëpi më 10 gusht, 13 ditë pas ndërhyrjes. Një rikuperim rekord”.
https://www.youtube.com/watch?v=lTJ5x5WPxXM
“Në ato javë kam menduar të largohem nga futbolli, nuk kam menduar asnjë moment për detyrimet e mia si futbollist. Nuk e bëja dot. Kam kuptuar se në dhimbje të gjitha familjet janë njësoj. Privilegjet barazohen me zero në fatkeqësi, nëse do t’ia dalësh duhet të luftosh”, ka thënë mbrojtësi juventin, i cili ka falënderuar edhe gruan e tij Martina: “Më ka dhënë stabilitet, më ka ndihmuar të ngrihem sa herë që kam rënë dhe më ka mësuar të jem krenar për veten në momentet e mira dhe ato të këqija”.