Urim HASIPI
Tetovë, 8 janar – Ndonëse është ulur dukshëm numri i zjarreve që shkaktohen nga përdorimi i bombolave të gazit për nevojat e amvisërive dhe të lokaleve të ndryshme afariste, megjithatë kompetentët apelojnë për më shumë kujdes. Të njëjtat ende përdoren shumë në rajonin më të gjerë të Pollogut dhe jo vetëm, pavarësisht rrezikut për jetën e vet qytetarëve. Përdorimi i tyre duhet të jetë mjaft i kujdesshëm, njoftojnë nga njësia e zjarrfikësve të Tetovës.“Bombolat e gazit duhet të plotësojnë disa kushte teknike me atë që të qëndrojnë në ambiente me ajrosje të posaçme, të kenë hapësirë të mjaftueshme, si dhe të mos kenë mundësi për kontakt me zjarr afër, sepse e njëjta menjëherë ndizet. Këshillojmë përdoruesit që në momentin e parë që të ndihet era e gazit, ata duhet të hapin dritaret derisa të bëhet pastrimi. Bombola duhet të kontrollohet herë pas here nëse ajo shfaq rrjedhje apo dëmtime”, deklaroi Uka Aliti, kryeshef i Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.
Kryesisht, rreziku për zjarr vjen nga përdorimi i pakontrolluar i tyre nga asnjë institucion adekuat. Pavarësisht se në mesin e qytetarëve ekziston përshtypja se bombolat e gazit janë të sigurta, megjithatë realiteti është ndryshe, pasi që rreziku nga përdorimi i gazit ekziston gjithmonë që të shndërrohet në zjarr të pakontrolluar dhe të shkaktojmë dëme të mëdha, thotë kreu i zjarrfikësve të Tetovës. “Banorët që përdorin të njëjtat, njëherë rrezikojnë vetveten, pastaj edhe familjarët. Por, krahas kësaj, edhe ne si zjarrfikës jemi të rrezikuar kur shkojmë për të shuar zjarret nga këto bombola. Do të kisha apeluar që qytetarët të jenë të kujdesshëm kur i përdorin të njëjtat, sepse pjesa dërmuese e këtyre bombolave që hasen në amvisëritë tona janë pa deklaracion dhe nuk i kontrollon askush” shprehet Uka Aliti.
Viteve të fundit, jo vetëm nëpër shtëpitë e banorëve të Pollogut por edhe nëpër shumë lokale afariste apo hotelerike është shtuar në masë të madhe përdorimi i bombolave të gazit, kryesisht për ngrohje, por edhe për nevoja në kuzhinë. Sipas kompetentëve, këto bombola të gazit blihen nëpër vende të ndryshme, kryesisht pa deklaracion, kurse në përdorim hyjnë vetëm për shkak se çmimi i gazit është shumë më i lirë në treg, pavarësisht se rreziku është i madh për jetën e qytetarëve. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se nëse paraqitet zjarr nga përdorimi i bombolave të gazit, ndërmarrin masa dhe kryejnë hetime, kurse këto zjarre evidentohen si vepër penale për rrezikim të sigurisë së përgjithshme. Edhe nga policia edhe nga njësia e zjarrfikësve potencojnë se gjatë viteve të kaluara jo rrallë herë pikërisht nga shpërthimi i bombolave të gazit ka patur edhe viktima në njerëz në Tetovë dhe rrethinë.(koha.mk)