Rinovimi i Mauro Icardit me Interin është shndërruar në një çështje muajt e fundit dhe drejtuesit zikaltër e kanë në agjendën e tyre të janarit, takimin me Wanda Narën, bashkëshorten dhe menaxheren e sulmuesit.
Por nga Argjentinas vjen një lajm që tremb tifozët e Interit, pasi sipas medias vendase “Tyc Sport”, Mauro Icardi e ka mbyllur tashmë me klubin zikaltër dhe nuk do të rinovojë kontratën, pasi do të largohet në verë.
Sipas “Tyc Sport”, e cila u referohet burimeve të ndryshme pranë çiftit Icardi-Wanda, kjo e fundit u ka komunikuar vendimin drejtuesve zikaltër në takimin e fundit që ata kanë pasur, duke ua bërë të qarta kushtet e Mauros për të rinovuar.
“Nuk është e drejtë që Mauro të rinovojë me të njëjtat shifra që fiton aktualisht, pasi ai është përmirësuar shumë kohët e fundit dhe duhet të fitojë më shumë. Ne jemi të hapur për çdo ofertë tjetër, por nuk kemi ndërmend të lëvizim nga pretendimet tona, pasi Mauro ka adhurues gjithandej, të cilët janë gati të paguajnë 110 milionë euro për kartonin e tij”, citohet të ketë thënë Wanda nara për mediat argjentinase.
Ndërkohë në Itali mediat raportojnë se oferta e Interit ka qenë për një kontratë deri në vitin 2023 dhe me një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon, por nga ana tjetër Wanda e ka bërë të qartë se nuk do të ketë firmë mbi kontratë, pa 9 milionë euro.
Gjithsesi, çështja tashmë ka filluar të bëhet interesante dhe drejtuesit zikaltër duhet të nxitojnë për të bindur kapitenin të qëndrojnë, pasi nëse rinovimi nuk vjen brenda muajit mars, atëherë është thuajse e sigurt që Mauro Icardi do të shfrytëzojë periudhën e klauzolës, për t’u larguar nga Milano.