Me zgjedhjen e John Bolton, si këshilltar i ri për Sigurinë Kombëtare të presidentit amerikan Donald Trump, serbët shpresojnë se së paku një person në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë në anën e Serbisë. Kjo për faktin se sipas mediave në fjalë, përcjell Telegrafi, ai është i pari funksionar i lartë amerikan, i cili kundërshtoi hapur pranimin amerikan të pavarësisë së Kosovës. Po sipas tyre, Bolton, para 10 viteve paralajmëronte se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përballet me shumë paqëndrueshmëri, nëse Kosova bëhet e pavarur.
“Pavarësia e Kosovës nuk është ekonomikisht e qëndrueshme dhe rrezikon tërheqjen e ekstremistëve islamikë nga e gjithë bota. Kjo do të mund të destabilizojë vende të tjera, si Mali i Zi dhe Maqedonia, në të cilat gjithashtu jetojnë edhe shqiptarët”, citohet të ketë thënë ai në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova. Madje, Bolton, siç thuhet më tej, i cili ishte ambasador amerikan në OKB, atëherë parashikoi se për shkak të Kosovës mund të ndodhte një përkeqësim i ri i marrëdhënieve mes SHBA dhe Rusisë.
“Në qoftë se problemi i statusit të Kosovës është zgjidhur në mënyrë të kundërt me vullnetin e Beogradit, por edhe të fuqive të tjera, si Rusia dhe Kina, nuk ka dyshim se gjatë kësaj kohe problemi lokal mund të shkaktojë më shumë tension në marrëdhëniet e Washingtonit dhe Moskës, potencialisht dhe vendeve tjera. Gjithashtu, sigurisht që do të arrihet deri tek ndarja e Kosovës, pasi që serbët e Kosovës do të jenë të orientuar drejt Serbisë”, kishte paralajmëruar ai.