Ish-atleti Usain Bolt pritet të jetë titullar në ndeshjen e dytë miqësore që do të zhvillojë me skuadrën e australiane të Central Coast Mariners, me të cilën prej një muaji ka nisur një fazë përgatitore, me shpresën që të nënshkruajë një kontratë si futbollist profesionist. Të premten, skuadra e Bolt, që militon në A-League, do të luajë një ndeshje miqësore ndaj Macarthur South West United në Sidney. Sipas trajnerit të skuadrës së Mariners, Bolt do ta nisë këtë takim si titullar, duke i dhënë sprinterit xhamajkan më shumë minuta aktivizimi.
Në miqësoren e parë, Bolt luajti vetëm 20 minutat e fundit, por këtë herë situata do të jetë ndryshe. Xhamajkani është më në formë dhe arrin të gërshetojë më mirë aftësitë e tij si sprinter me kontrollin e topit, që ishte problem në seancat e para stërvitore.
Për Bolt ky është një shans i artë për të treguar se është përmirësuar teknikisht por edhe fizikisht për të luajtur më shumë minuta në fushën e lojës. Rekordmeni i botës në 100 dhe 200 metra në atletikë, fitues i 8 medaljeve të arta olimpike, ka varur “këpucët në gozhdë” prej më shumë se një viti dhe tashmë ka nisur karrierën si futbollist, në pritje të nënshkrimit të një kontrate si profesionist.