Kampioni olimpik dhe rekordmeni i botës në 100 e 200 metra, Usain Bolt, ka qenë në vendlindjen e tij, në Xhamajkë, ku ka zbuluar një statujë që i kanë bërë në momentin që ai ka vendosur të tërhiqet nga sporti.
Fituesi i 8 medaljeve të arta olimpike ka zbuluar statujën 3 metra të gjatë, duke deklaruar se është krenar për atë çka arritur në karrierë dhe se ka bërë të ndihen të tillë edhe të gjithë xhamajkanët. “Pa asnjë dyshim, ky moment është një ndër më emocionuesit në jetën time, pasi kjo statujë është një vlerësim e nderim i madh për mua, që më bëhet në vendlindjen time”, tha Bolt nga Kingston, ku dhe ka hedhur hapat e parë të karrierës së tij.
“Të kesh një statujë në stadiumin kombëtar, aty ku unë kam nisur karrierën time, ku kam hedhur hapat e parë është shumë emocionuese. Nuk kam fjalë, thjesht jam shumë i lumtur dhe i emocionuar”, u shpreh më tej Bolt, tashmë 31 vjeç. Pas Botërorit të Londrës, zhvilluar në gusht të këtij viti, ai deklaroi se do të tërhiqet nga sporti edhe pse në aktivitetin e fundit ai zhgënjeu, duke u dëmtuar në stafetën 4×100 metra. “Është e mrekullueshme të kthesh kokën pas dhe të shohësh karrierën dhe atë që ke arritur. Jam krenar për punën time, por ju falënderoj edhe juve për mbështetjen, pasi keni qenë një frymëzim për mua”, tha sprinteri xhamajkan Usain Bolt.