Filmi “Bolero në vilen e pleqve” me regji të Spartak Pecanit, prodhuar nga shtëpia kinematografike “Eclipse S.A.”, është përzgjedhur në Fusion International Film Festival i cili do të zhvillohet në dhjetor 2020 në Varshavë. Ky film është financuar nga Qendra Kombetare e Kinematografisë. Skenari i filmit ”Bolero në vilën e pleqve” është me motivet e veprës së Fatos Kongolit me të njëjtin titull.
Regjinë e këtij filmi e ka bërë mjeshtri i kinematografisë, regjisori Spartak Pecani, i cili për realizimin e skenarit ka bashkëpunuar edhe me Linda Fejzaj. Producent është “Eclipss” me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe coproducion i Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Në këtë film luajnë doajenët e filmit dhe teatrit aktorët Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, aktorja mjaft e talentuar Gentiana Ramadani, e shkolluar në Akademinë prestigjioze për film dhe tatër në Shkup,si dhe Olta Daku, Olta Gixhari, Ledjon Zoi, Afrim Muçaj.
Në qendër të filmit është një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundin e jetës së tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëj që ajo të shkoj përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbiroj mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka.
Filmi përcjell mënyrën e sotme të të jetuarit si dhe dramën shqiptare që kalon në modernitet ku harresa është aq e dhimbshme sa edhe gjithë dramat e tjera dhe zhvillohet aty ku ka pamundësi të marrëdhënieve familjare.
Me pjesëmarrjen në Fusion International Film Festival, në Varshavë, ky projekt filmik që vjen nga Tirana, dëshmon edhe njëherë për virtuoztetin e lartë të regjisorit Spartak Pecani, për të nxjerrë në ekran fshehtësitë e artit filmik me një gjuhë dhe stil tejet original. (E.A)